Polonia refuzon hyrjen e grurit ukrainas pas 15 shtatorit
2023-09-05 16:14:06

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ministri i Bujqësisë, Robert Telus, deklaroi se Polonia do të zgjasë ndalimin e importit të drithit ukrainas pas 15 shtatorit.

“Nuk do të lejojmë që gruri ukrainas të hyjë në Poloni pas 15 shtatorit, pasi interesat e fermerëve polakë janë më të rëndësishme se çdo rregullore e BE-së”, deklaroi ministri, shkruan “ATSH”.

Më 28 prill, KE-ja arriti një marrëveshje me Poloninë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë për kufizimet në importet e produkteve agro-ushqimore ukrainase dhe më 2 maj njoftoi miratimin e një ndalimi të përkohshëm për importet e grurit, misrit dhe lulediellit nga Ukraina.

Muajin e kaluar ajo zgjati ndalimin deri më 15 shtator.

Telus është në Spanjë për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të ministrave të Bujqësisë të BE-së, në mënyrë që të kërkojë mbështetjen e BE-së për zgjatjen e ndalimit.

“Ne e dimë se çfarë mund të ndodhë nëse gruri ukrainas do të hynte në Poloni pas 15 shtatorit”,- tha Telus, duke shtuar se kjo do ta vështirësonte situatën pasi çmimet e drithit janë të ulëta dhe depot janë plot me drithëra.

Qeveria polake ka ofruar subvencione 3.3 miliardë euro për fermerët polakë, ndërsa ndihma e BE-së ishte vetëm 66.7 milionë euro. (Fatosi)