Përmbytjet në Nevada të SHBA-së, mijëra të bllokuar dhe 1 viktimë
2023-09-05 11:28:15

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Autoritetet në Nevada po hetojnë rrethanat e vdekjes së një personi në vendin ku mbahet festivali vjetor “Burning Man”, ku prej së shtunës në mbrëmje, mijëra pjesëmarrës, vazhdojnë të jenë të bllokuar aty, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhitë që përfshinë edhe shkretëtirën e Nevadës, shkruan “RTSH”.

Organizatorët mbyllën aksesin për automjetet në festivalin e antikulturës. Të pranishmit kaluan nëpër baltë, shumica zbathur ose duke mbajtur qese plastike në këmbë. Adhuruesit u nxitën të strehoheshin në disa vende dhe të ruanin ushqimin, ujin dhe furnizime të tjera.

Zyra e Sherifit në qarkun Pershing tha se vdekja ndodhi gjatë aktivitetit, por ofroi pak detaje mes hetimeve në vazhdim. Autoritetet nuk dhanë informacion mbi identitetin e personit të vdekur, apo se çfarë mund të ketë shkaktuar vdekjen e tij, raportoi televizioni “KNSD-TV”.

Zyrtarët nuk po lejojnë hapjen e portave ku ndodhen automjetet e parkuara të pjesëmarrësve në festival, i cili nisi më 27 gusht dhe pritej të përfundonte të hënën.

Më shumë se 13 mm shi besohet të ketë rënë të premten në vendin ku po mbahet festivali, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit në Reno.

Zyrtarët nuk kanë thënë ende se kur do të lejohet largimi i pjesmarrësve në festival. (Irma)