foto/Xinhua
Kryeministri kinez Li Qiang u takua në Pekin me drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Të dyja palët u zotuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Duke vënë në dukje se ekonomia kineze ka ruajtur një prirje të qëndrueshme rimëkëmbjeje këtë vit, Li tha se vendi do të forcojë më tej koordinimin e politikave dhe do të promovojë rritjen ekonomike, ndërkohë që do t'i përmbahet reformave dhe hapjes, shkruan “Xinhua”.
“Kina do të optimizojë mjedisin e zhvillimit për ndërmarrjet private, do të përmirësojë shkallën dhe strukturën e tregtisë së jashtme dhe do të bëjë përpjekje më të mëdha për të tërhequr dhe përdorur kapitalin e huaj. Vendi është i sigurt dhe i aftë për të promovuar zhvillim të qëndrueshëm dhe të shëndoshë ekonomik”,- tha ai.
Sipas kryeministrit Li, Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me FMN-në dhe ta mbështesë këtë institucion që të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në qeverisjen globale.
Georgieva tha se FMN-ja vlerëson përpjekjet solide të ndërmarra nga Kina për të promovuar rritjen ekonomike dhe vlerëson rolin udhëheqës të Kinës në ndihmën e vendeve të cenueshme.
Ajo theksoi se FMN-ja është e gatshme të bashkëpunojë më tej me Kinën.
Georgieva u bëri thirrje të gjitha palëve që të mbajnë zinxhirët e furnizimit global të qëndrueshëm dhe të qetë për të parandaluar rreziqet e fragmentimit, duke thënë se FMN-ja do të punojë për të arritur rezultate pozitive në rishikimin e përgjithshëm të kuotave. (Irma)