Starton edicioni i 80-të i Festivalit të Filmit në Venecia
2023-09-01 16:21:41

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Startoi edicioni i 80-të i Festivalit të Filmit në Venecia, me një prani më të pakët të yjeve të kinematografisë, për shkak të grevës së Hollivudit.

Festivali u hap me filmin “Comandante” të regjisorit italian, Edoardo De Angelis, me protagonist kryesor aktorin italian Pierfrancesco Favino. Ai tregon historinë e një komandanti të nëndetëses në Luftën e Dytë Botërore, i cili merr një vendim të guximshëm për një udhëtim në Atlantik.

“Comandante” është një nga 23 filmat që konkurrojnë për çmimin kryesor të festivalit, “Luani i Artë”, i cili do të jepet më 9 shtator, shkruan “ATSH”.

Regjisorja italiane Liliana Cavani, 90 vjeçe, u nderua me çmimin “Luani i Artë”, të cilës iu dorëzua nga aktorja britanike Charlotte Rampling, që luajti rolin kryesor në filmin e saj të vitit 1974, “The Night Porter”.

“Jam gruaja e parë që e merr këtë çmim dhe mendoj se kjo nuk është e drejtë. Ka plot skenariste dhe regjisore të cilat ndoshta punojnë dhe në të njëjtin nivel me burrat. Besoj se festivali duhet ta marrë parasysh se edhe gratë mund të bëjnë filma”,- tha ajo.

Juria e festivalit kryesohet nga regjisori amerikan Damien Chazelle, i njohur për filmat “Whiplash” dhe “La La Land”, me anëtarë regjisoren nga Zelanda e Re, Jane Campion, dhe regjisorin irlandez, Martin McDonagh.

Aktorja kineze Shu Qi, fituese e shumëfishtë e çmimeve të filmit në Hong Kong dhe çmimit “Golden Horse”, është anëtare e jurisë për konkursin kryesor, shkruan “Xinhua”.

Jashtë gare do të shfaqen rreth 19 filma artistikë dhe dokumentarë, dy seriale televizive dhe një film me metrazh të shkurtër.

Një shumëllojshmëri e pasur veprash që përfaqësojnë tendenca të reja estetike dhe teknologji krijuese të realitetit virtual do të shfaqen gjithashtu në kategorinë “Horizons”. (Irma)