Tre qytete suedeze tronditen nga katër shpërthime me bomba
2023-09-01 16:35:51

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Tre qytete suedeze janë tronditur nga katër shpërthime brenda një ore gjatë ditës së enjte. Policia në Goteborg mori informacione për dy shpërthime në adresa të veçanta, me një distancë prej 10 minutash.

“Të dy vendet janë rrethuar dhe hetimet janë duke vijuar. Nuk raportohet për persona të lënduar, vetëm dëme materiale”,- njoftoi policia.

Një orë më vonë u raportuan dy shpërthime të tjera me distancë disa minuta nga njëra-tjetra, njëra në Norsborg, një periferinë jugore të Stokholmit, dhe tjetra në Nyköping, rreth 100 km në jug të kryeqytetit suedez, transmeton “The Guardian”, citon “RTSH”. Të gjitha shpërthimet ishin në ndërtesa banimi.

Suedia është përpjekur të frenojë një rritje të të shtënave dhe bombave në vitet e fundit, ndërsa bandat lajnë hesapet për çështje që lidhen me tregtinë e drogës.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të policisë, në Suedi ka pasur 90 shpërthime dhe 101 raste të tentativave për bomba. Deri më 15 gusht të këtij viti ishin regjistruar 109 shpërthime.

Vendi regjistroi 391 të shtëna në vitin 2022, 62 prej tyre fatale, nga 45 një vit më parë, sipas të dhënave të policisë. (Irma)