Qeveria franceze ofron 200 milionë euro për të mbështetur prodhuesit e verës
2023-08-30 11:33:05

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Qeveria franceze ka vendosur të japë rreth 200 milionë euro për të përballuar mbiprodhimin e verës dhe për të mbështetur prodhuesit. 

Lëvizja vjen pasi kjo industri është përballur me një sërë problemesh, mes të cilave rënia e konsumit të verës, pasi konsumatorët po konsumojnë gjithnjë e më shumë birrë.

Mbiprodhimi dhe kriza e kostos të jetës gjithashtu po godasin industrinë, përcjell “RTSH”. 

Pjesa më e madhe e fondit prej 200 milionë eurosh do të përdoret për të blerë sasinë e tepërt të verës së prodhuar. Vreshtarëve gjithashtu do t’u jepen fonde për të ndryshuar llojin e prodhimit të tyre, si përshembull fokusimi te ullishtet.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian deri në qershor të këtij viti, konsumi i verës ka rënë me 7 për qind në Itali, 15 për qind në Francë, 22 për qind në Gjermani dhe 34 për qind në Portugali, ndërsa prodhimi i verës në të gjithë vendet e bllokut u rrit me 4 për qind. (Irma)