Foto nga Xinhua
Kanë kaluar dy vjet që kur forcat e koalicionit të kryesuara nga ShBA-ja u larguan nga Afganistani, por ndikimet e luftës dhe sanksioneve të ShBA-së i kanë lënë këtij vendi një trashëgimi të tmerrshme.
Ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara, të cilat u tërhoqën me nxitim nga Afganistani duke mos marrë parasysh përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre, janë fajtoret kryesore për gjendjen që lanë pas, të karakterizuar nga një krizë humanitare në përkeqësim, vështirësi ekonomike dhe sulme terroriste.
Në fund të gushtit 2021, trupat e fundit amerikane dolën nga Afganistani, por prania e ShBA-së ka ende një ndikim negativ në ekonominë e vendit. Ekspertët thonë se pushtimi amerikan ka krijuar një "vrimë të zezë" në ekonominë e Afganistanit, duke thithur shumë pasuri që deri tani mbetet e humbur.
Sipas raportit të fundit të Kornizës Strategjike të Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, të publikuar në fillim të korrikut, ekonomia afgane u tkurr rreth 30 për qind në periudhën e vitete 2020 - 2022. 24.4 milionë afganë kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe nëntë ndër dhjetë veta jetojnë në varfëri.
Forcat e kryesuara nga ShBA-ja u larguan prej Afganistanit pas 20 vjetësh pushtimi ushtarak, por materialet luftarake të pashpërthyera të lëna nga trupat amerikane kanë marrë jetën e afganëve dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për vite.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq theksoi se fëmijët janë viktimat më të pambrojtura të materialeve luftarake të pashpërthyera, duke vënë në dukje në raportin e tij se 640 fëmijë u vranë ose u plagosën në 541 incidente që përfshijnë shpërthimin e minave tokësore dhe të mbetjeve shpërthyese nga janari 2022 deri në qershor 2023. Kjo përbën pothuajse 60 për qind e numrit të përgjithshëm të viktimave civile të shpërthimeve nga materialet luftarake të pashpërthyera.