Sekretari i Jashtëm britanik do të vizitojë Kinën të mërkurën
2023-08-29 21:34:58

foto: VCG

foto: VCG

Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme, Komunuelthit dhe Zhvillimit i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly do të vizitojë Kinën të mërkurën, njoftoi të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

Vizita bëhet me ftesën e ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, i cili është gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.

Duke folur për vizitën e kryediplomatit britanik në një konferencë shtypi të përditshme, zëdhënësi i diplomacisë kineze tha se, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ekonomi kryesore globale, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar mbajnë përgjegjësinë e përbashkët të nxitjes së paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit botëror, duke shtuar se ruajtja dhe zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe është në interesin e përbashkët të të dy popujve.

Gjatë vizitës së Cleverly, të dy palët do të kenë komunikim të thellë mbi marrëdhëniet Kinë-Mbretëri e Bashkuar dhe çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët, tha Wang Wenbin.

Ai shprehu shpresën se Mbretëria e Bashkuar do të punojë me Kinën për të ruajtur frymën e respektit të ndërsjelltë dhe kryerjen e shkëmbimeve të thella, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.