Foto nga Xinhua
Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping tha të enjten që Kina mbështet Malavin në ndjekjen e një rruge zhvillimi që përshtatet me gjendjen e vet të brendshme dhe është e gatshme që të vazhdojë të ofrojë ndihmë brenda mundësive për zhvillimin ekonomik e shoqëror të këtij vendi afrikan.
Në takimin e tij me homologun e vet malavian Lazarus Chakwera në Johanesburg, ku të dy presidentët ndodheshin për të marrë pjesë në Samitin e 15-të të BRICS-it, Xi theksoi gjithashtu që ai e vlerëson qëndrimin e Chakwera-s për ndjekjen e parimit të "Një Kine" gjatë mandatit të vet. Kreu i shtetit kinez shprehu shpresën që të dy vendet do të vazhdojnë ta mbështesin njëri-tjetrin në çështjet me interes të përbashkët, do të thellojnë shkëmbimet për të arritur rezultate nga bashkëpunimi praktik dhe do të nxitin zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Ai tha se Kina është gjithashtu e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Malavin e vendet e tjera në zhvillim për ruajtjen e barazisë dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Chakwera shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e çmuar nga Kina. Ai tha se është mirëpritur ngrohtësisht gjatë vizitës së tij në Kinë dhe mendon sinqerisht se Kina është vend mik, vëlla dhe partner i vërtetë i Malavit. Ai shtoi se nisma “Një brez, një rrugë” e propozuar nga kryetari Xi, është në të mirë për zhvillimin e përbashkët të vendeve në zhvillim.
Presidenti i Malavit tha gjithashtu se vendi i tij mbështet me vendosmëri politikën e "Një Kine" dhe është i gatshëm të forcojë komunikimin e bashkëpunimin me Kinën. (Jiang Lei)