Foto nga VCG
Laburistët akuzuan qeverinë britanike për krijimin e një pasigurie të madhe për bizneset me plane absolutisht kaotike të tregtisë kufitare post Brexit.
Partia Laburiste ka kërkuar shpjegime pasi u raportua se ministrat do të vonojnë edhe një herë vendosjen e kontrolleve kufitare për produktet shtazore dhe bimore që vijnë nga Bashkimi Evropian, shkruan “ATSH”.
Mbretëria e Bashkuar po planifikonte të nxirrte fazën e parë të modelit të saj të ri kufitar nga tetori, me kontrolle fizike dhe kërkesa të tjera që do të prezantohen gjatë vitit të ardhshëm.
Por ato do të shtyhen sërish për shkak të shqetësimeve se burokracia shtesë do të rriste çmimet e ushqimeve për konsumatorët, raportoi “Financial Times” në fillim të këtij muaji.
Laburistët thanë se raporti i një vonese të mëtejshme, i cili nuk është njoftuar zyrtarisht nga qeveria, po shkakton “kaos” dhe “pasiguri të madhe” për bizneset, ndërsa miliona paund të taksapaguesve janë shpenzuar tashmë për përgatitjen e ndryshimeve. (Elona)