Foto nga VCG
Një zjarr që shpërtheu në ishullin italian Elba ka detyruar evakuimin e 700 personave, ndërsa Ministria italiane e Shëndetësisë shpalli të martën alarmin më të lartë të nxehtësisë për 16 qytete, bën të ditur “ATSH”.
“Evakuimet u bënë nga një kamping dhe disa ndërtesa banimi”, - njoftoi Mbrojtja Civile e rajonit të Toskanës në platformën online “X”.
Gjithsej 14 hektarë tokë janë djegur deri tani. Pyjet midis qyteteve Rio Marina, Porto Azzurro dhe Ortano janë veçanërisht të prekura nga flakët në ishull. Deri tani nuk ka pasur raportime për viktima. Sipas zjarrfikësve, zjarri ka rënë mbrëmjen e së hënës dhe është përhapur me shpejtësi për shkak të erës.
“Në pjesën më të madhe të vendit, banorët po përballen me temperatura deri në 38 gradë Celsius”,- tha Ministria e Shëndetësisë. (Elona)