Arti audiovizual digjital nxit kulturën e Kinës dhe konsumin e turizmit
2023-08-11 11:28:31

Konferenca Ndërkombëtare Audiovizive e Kinës  2023 përfundoi të dielën pas katër ditësh aktivitetesh, duke përfshirë prezantimin e zhvillimeve të reja teknologjike, me artin dhe kulturën në qendër të vëmendjes.

Më shumë se 200 ndërmarrje dhe institucione nga industria globale audiovizive ndanë në aktivitetin e mbajtur në kryeqytetin kinez arritjet e reja të zhvillimit në të gjithë zinxhirin e industrisë audiovizive. Pjesëmarrësit ngritën stenda në disa seksione të dedikuara, duke mbuluar një sipërfaqe totale ekspozite prej 20,000 metrash katrorë.

Duke u endur mes kabinave, vizitorët mundën të fitonin përvojën e drejtpërdrejtë të zhvillimeve të reja.

foto/VCG

foto/VCG

Nëpërmjet teknologjive digjitale, ata mund të shikonin mbishkrimet në brendësi të enëve prej bronzi nëpërmjet ekranit të kompjuterit. Diku tjetër, shikuesit përdorën teknologjinë digjitale për të bashkëvepruar me instalimet e artit mijëra milje larg.

Ndër pikat kryesore të ekspozitës ishte Forumi i Arteve Audiovizuale Digjitale të mbajtur më 5 gusht, në të cilin ekspertë të industrisë zhvilluan diskutime mbi temën "E ardhmja e arteve audiovizuale digjitale në epokën e inteligjencës artificiale".

Vitet e fundit, me përshpejtimin e digjitalizimit të industrisë së kulturës kineze, gjithnjë e më shumë hapësira kulturore, duke përfshirë muzetë, galeritë e artit, teatrot dhe sallat e muzikës, kanë paraqitur përmbajtje digjitale audiovizuale përmes integrimit të kulturës dhe teknologjisë digjitale. Ky zhvillim ka nxitur integrimin e industrive dhe ka dhënë një vrull të ri për konsumin kulturor dhe turistik.

Jin Jun, profesor në Akademinë Qendrore të Arteve të Bukura, tha se zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë ka sjellë në jetë shumë forma të reja arti, duke përfshirë ndërveprimin e inteligjencës artificiale. Mbështetja nga teknologjia ka sjellë eksperienca të artit shumëshqisor tek audienca, ndërsa veprat klasike mund të rikrijohen përmes mjeteve digjitale, duke pasuruar përmbajtjen tradicionale dhe duke rigjallëruar artin klasik, tha Jin.

Zhang Lie, profesor i asociuar i Universitetit Tsinghua, tha se hapësira gjithëpërfshirëse dhe krijimtaria digjitale janë aktualisht tema shumë të njohura brenda industrisë. Vitet e fundit, tha ai, me gjithnjë e më shumë dashamirës të produkteve kineze, artet audiovizuale kanë luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përdorimin dhe promovimin e materialeve tradicionale kulturore.

Artet audiovizuale digjitale interaktive multimodale thyejnë kufizimet e fushave vizuale dhe zanore, duke arritur një përvojë gjithëpërfshirëse të zëvendësimit të roleve virtuale dhe reale, duke e kthyer procesin e të mësuarit ose të vizitës në një aktivitet eksplorues, i cili është mjaft interesant dhe argëtues, shtoi profesori.

foto/VCG

foto/VCG

"Muzetë janë bërë një parajsë për inovacionin digjital, gjë që e bën më të lehtë për audiencën qasjen dhe pjesëmarrjen në to, duke i ndihmuar ata të kuptojnë koncepte komplekse. Nëpërmjet metodave narrative artistike, audiovizuali digjital ka hapur një hapësirë të re imagjinative për përvojat kulturore dhe turistike në vend”,- shpjegoi Zhang.

Industria digjitale audiovizive është bërë një komponent i rëndësishëm i ekonomisë digjitale të Kinës vitet e fundit. Vlera e shtuar e industrisë së kulturës së Pekinit përbën më shumë se 10 për qind të PBB-së së tij, ndërkohë që perspektivat e zhvillimit të industrisë audiovizive janë premtuese.

Në fund të korrikut, planifikuesi kryesor ekonomik i Kinës nxori një sërë masash për të rritur konsumin mes përpjekjeve për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë. Vendi u zotua të nxisë konsumin e një game të gjerë artikujsh dhe shërbimesh, duke përfshirë sektorët e kulturës dhe turizmit, sipas një njoftimi të lëshuar nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës.

Njoftimi përmendte gjithashtu nevojën për pasurimin e kulturës dhe konsumit turistik, krijimin e hapësirave të reja argëtuese gjithëpërfshirëse dhe ndërtimin e grupeve të reja të konsumit të kulturës dhe turizmit.

foto/VCG

foto/VCG

Sun Hui, sekretari i përgjithshëm i institutit kërkimor të industrisë së turizmit kulturor “Tencent”, tha se arti digjital mund të ndihmojë në promovimin e zgjerimit të burimeve tradicionale kulturore dhe turistike në forma të shumta të aseteve digjitale, duke inovuar përvojën e përmbajtjes, duke rritur vlerën e markës dhe duke nxitur rritjen e biznesit.

"Pekini ka propozuar ndërtimin e një qendre të industrisë audiovizive me ndikim global dhe arti audiovizual digjital do të luajë një rol të madh në proces",- tha Kong Jianhua, nënkryetari i Zyrës Komunale të Radios dhe Televizionit të Pekinit.

Arti audiovizual digjital do të integrohet në hapësirën kulturore të të gjithë qytetit dhe do të ndihmojë në formimin e imazhit kulturor të Pekinit në të ardhmen, shtoi Kong.