Marka kineze e makinave lançon modele të reja SUV në Egjipt
2023-08-10 18:27:11

Xinhua

Marka kineze e makinave “Jetour Auto” lançoi këtë javë tre modele të reja SUV në kryeqytetin egjiptian, Kajro, ndërsa prodhuesit kinezë të automjeteve po përshpejtojnë shtrirjen e tyre në rajonin e Lindjes së Mesme.

Ceremonia e mbajtur nga “Jetour” para piramidave të mëdha tërhoqi më shumë se 500 të ftuar nga të dy vendet, duke përfshirë shitës automjetesh, ekspertë makinash, influencues të internetit dhe përfaqësues të mediave, bën të ditur “Xinhua”.

Gjatë ceremonisë, “Jetour” prezantoi tre modele SUV, përkatësisht X70Plus, X90Plus dhe Dashing, dizajnet ultra moderne të të cilëve binin në kontrast me piramidat antike pas tyre.

Që nga themelimi në vitin 2018, “Jetour” ka ngritur mbi 400 rrjete shitjesh dhe shërbimesh në më shumë se 40 vende dhe rajone, tha Ke Chuandeng, zv.drejtor i “Jetour Auto”.

Chen Jiacai, ndihmës menaxher i përgjithshëm i “Jetour” dhe menaxher i përgjithshëm i “Jetour International Marketing Company”, tha se kompania do të fokusohet në tregun e SUV-ve në Egjipt, duke synuar të kapë mbi 10 për qind të tregut egjiptian të makinave deri në vitin 2027.

Xinhua

Xinhua

“Përmes rritjes së kapacitetit të prodhimit vendas, “Jetour” është e përkushtuar të ofrojë më shumë vende pune dhe të japë kontributin e saj në ekonominë e Egjiptit”,- tha Chen.

Eksportet e automjeteve në Kinë dëshmuan një rritje të mprehtë prej 75.7 për qind në bazë vjetore në gjysmën e parë të vitit, duke eksportuar 2.14 milionë automjete, sipas të dhënave të fundit nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave. (Elona)

Xinhua