Selia e Bankës Popullore të Kinës në Pekin, Kinë, 20 korrik./CFP
Banka qendrore e Kinës u zotua të forcojë mbështetjen financiare për ndërmarrjet private të vendit në një simpozium të mbajtur të enjten.
Banka Popullore e Kinës do të shtojë bashkërendimin e politikave financiare, fiskale e industriale dhe do të orientojë më shumë burime financiare në ekonominë private, tha Pan Gongsheng, guvernatori i bankës, në simpozium mbi përmirësimin e përkrahjes financiare për ndërmarrjet private.
Sektori financiar është i detyruar të mbështesë zhvillimin e ndërmarrjeve private, pasi ekonomia private është një rezultat i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë socialiste të tregut dhe një forcë kyçe për nxitjen e zhvillimit ekonomik e shoqëror, theksoi ai.
Pan shtoi se sfera e instrumenteve për të mbështetur ndërmarrjet private në financimin e borxhit do të zgjerohet dhe do të punohet për forcimin e përkrahjes së tregut financiar për sipërmarrjet private.
Ai u bëri thirrje institucioneve financiare të krijojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve private, të shtojnë gatishmërinë, kapacitetin e qëndrueshmërinë e tyre lidhur me marrjen e huave dhe t'u ofrojnë atyre shërbime financiare të besueshme, të efektshme e të përshtatshme.
Pan u zotua gjithashtu për zbatimin e saktë të politikave të diferencuara të kredive për strehimin, plotësimin e nevojave të arsyeshme financiare të ndërmarrjeve private të pasurive të patundshme dhe nxitjen e zhvillimit të shëndetshëm të sektorit të pasurive të patundshme.
Pritet që departamentet, institucionet dhe rajonet e ndryshme anembanë vendit të vazhdojnë të përqendrohen në ekonominë private, të lehtësojnë më tej vështirësitë me të cilat ndeshen ndërmarrjet private dhe të nxisin transformimin dhe zhvillimin e tyre, tha Bruce Pang, kryeekonomisti dhe kreu i kërkimeve i degës për Kinën të JLL.
Falë mbështetjes, trysnia mbi ndërmarrjet për sa i përket kostos dhe qarkullimit të parave do të minimizohet në një mënyrë të drejtpërdrejtë, të drejtë e përfshirëse, shtoi ai.