CFP
Një i dërguar kinez i bëri thirrje të enjten bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur shkaqet rrënjësore të pasigurisë ushqimore.
"Për të zgjidhur krizën ushqimore, bashkësia ndërkombëtare duhet të fokusohet në shkaqet rrënjësore dhe të kryejë një shqyrtim sistematik të situatës," tha Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB.
Viktimat më të prekura nga kriza ushqimore janë, pa dyshim, vendet në zhvillim, theksoi ai.
"Pasiguria ushqimore është, në thelb, rezultat i zhvillimit të pamjaftueshëm e të pabalancuar në mbarë botën, dhe një manifestim konkret i hendekut të zhvillimit mes Veriut dhe Jugut," u shpreh përfaqësuesi kinez në një debat të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi urinë dhe pasigurinë ushqimore globale të shkaktuar nga konfliktet.
"Ajo është e lidhur ngushtë me sistemin e padrejtë dhe të paarsyeshëm të prodhimit e të tregtimit të ushqimit për një periudhë të gjatë, dhe me sistemin e qeverisjes globale në tërësi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të trajtojë së bashku simptomat dhe shkaqet rrënjësore, të përmirësojë rregullat e rregulloret dhe të marrë masa gjithëpërfshirëse për të arritur objektivin e zhdukjes së urisë në vitin 2030 siç është planifikuar," tha ai.
I dërguari kinez i nxiti gjithashtu vendet e zhvilluara që të anulojnë subvencionet e paarsyeshme bujqësore dhe të zbatojnë politika monetare të arsyeshme, si edhe të pakësojnë ndikimin e faktorëve si inflacioni me burim nga jashtë dhe luhatjet e kursit të këmbimit valutor në sigurinë ushqimore të vendeve në zhvillim.
Ai bëri thirrje edhe për përpjekje për të hequr kufizimet e sanksioneve të njëanshme mbi prodhimin dhe eksportin e ushqimeve, për të luftuar kapitalet spekulative e monopolin e çmimeve dhe të ndërtuar një sistem të zinxhirit industrial e furnizues të sigurt, të qëndrueshëm dhe me përfitime të përbashkëta. (Xu Guang)