foto/VCG
Kina dhe Gjeorgjia publikuan të hënën një deklaratë të përbashkët mbi vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit strategjik ndërmjet të dy vendeve.
Nga 26 korriku deri më 1 gusht, kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Garibashvili gjendet për vizitë në Kinë. Ai mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave të 31-ta Universitare Botërore të Chengdu-së. Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua me kryeministrin Garibashvili në qytetin Chengdu, ndërsa kryeministri Li Qiang u takua me homologun gjeorgjian në Pekin. Të dyja palët patën një shkëmbim të thelluar mendimesh për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje ndërkombëtare e rajonale me interes të ndërsjellë, duke arritur konsensus të gjerë. Të dyja vendet vendosën t'i ngrenë marrëdhëniet e tyre në nivelin e partneritetit strategjik.
Të dyja palët mendojnë se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve më 9 qershor 1992, bashkëpunimi dypalësh ka pasur rezultate të frytshme në fusha të ndryshme. Në kontekstin e evoluimit të thellë dhe kompleks të situatës ndërkombëtare dhe rajonale, të dyja palët ndajnë angazhimin për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, forcimin e bashkëpunimit në çështjet ndërkombëtare, thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërinë rajonale e botërore dhe realizimin e zhvillimit të përbashkët. (Fang Xiaoyu/Artan)