Foto nga VCG
Më shumë se 880.000 banorë të provincës Fujian të Kinës lindore janë prekur nga tajfuni “Doksuri”, i cili goditi provincën të premten në mëngjes, njofton “Xinhua”.
Tajfuni zbarkoi në bregdetin e qytetit Jinjiang, duke sjellë erëra të fuqishme dhe shi të dendur, më pas u zhvendos në provincën Jiangxi, ku gradualisht u dobësua në një stuhi tropikale.
Zyra provinciale e Kontrollit të Përmbytjeve dhe Thatësirës në Fujian njoftoi se deri mëngjesin e të shtunës, u evakuuan 354.400 persona dhe 146.200 të tjerë u zhvendosën në zona më të sigurta.
Më shumë se 6300 hektarë tokë bujqësore në Fujian janë prekur nga tajfuni, me mbi 151 hektarë që vuajnë nga dështimi i plotë i të korrave. Një total prej 44 shtëpish janë shembur dhe 178 shtëpi janë dëmtuar rëndë, me humbje të drejtpërdrejta ekonomike që arrijnë në 428 milionë juanë (rreth 59.99 milionë dollarë amerikanë).
Parashikimet zyrtare meteorologjike tregojnë se reshjet e dendura të shiut do të vazhdojnë në shumë pjesë të Fujian. Gjashtë stacione vëzhgimi lokale kanë regjistruar shifrat e tyre më të larta ditore të reshjeve që nga viti 1961.
Zyra meteorologjike provinciale ka lëshuar paralajmërime për fatkeqësitë e mundshme dytësore si përrenjtë malorë, rrëshqitjet e baltës, rrëshqitjet e dheut dhe mbytjet urbane dhe rurale në qytetet bregdetare dhe rajonet veriore, duke përfshirë Putian, Fuzhou, Quanzhou dhe Ningde. (Fatosi)