CFP
Firmat industriale kryesore të Kinës raportuan një rënie të fitimit në qershorin e këtij viti, treguan të dhënat zyrtare të publikuara të enjten.
Firmat industriale me të ardhura vjetore prej të paktën 20 milionë juanësh (afro 2.8 milionë dollarë amerikanë) realizuan gjithsej 719.76 miliardë juanë fitime muajin e kaluar, 8.3 % më pak se në të njëjtin muaj vjet, por me një ngadalësim të rënies, nga 12.6 % që ishte në maj, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave.
Me hyrjen në fuqi të politkave që nxitin rritjen ekonomike, prodhimi industrial u rikthye në mënyrë të qëndrueshme dhe fitimet e ndërmarrjeve vazhduan të përmirësohen, sipas statisticienit të Zyrës Kombëtare të Statistikave Sun Xiao.
Në gjysmën e parë të këtij viti, fitimet e firmave industriale ranë 16.8 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 4.6 pikë përqindjeje më pak se ulja në tremujorin e parë të vitit.
Prodhuesit e pajisjeve patën një rritje të kombinuar të fitimeve prej 3.1 % në 6-mujorin e parë të vitit, 20.8 pikë përqindjeje më shumë se në tremujorin e parë, duke ndaluar prirjen e rënies.
"Fitimet në prodhimin e pajisjeve vazhduan të përmirësohen, me prodhimin e automjeteve, të pajisjeve të transportit, të pajisjeve elektrike dhe të instrumenteve matëse e njehsorëve që mbetën shtytësit kryesorë të rimëkëmbjes së fitimit," tha për CGTN-in Bruce Pang, kryeekonomist dhe kreu i kërkimeve në degën për Kinën të kompanisë JLL.
Me përmirësimin e vazhdueshëm të pritshmërive të tregut, fitimet e firmave kryesore industriale pritet që të rriten përsëri në tremujorin e 4-t, theksoi Pang.