Foto nga CFP
Muzeu i Murit të Madh të Kinës filloi të martën të kërkojë relikte kulturore nga brenda dhe jashtë vendit, në një lëvizje për të promovuar më tej kërkimin, mbledhjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Murit të Madh, bën të ditur “Xinhua”.
Reliktet kulturore përfshijnë objekte, fotografi, dokumente dhe mjete ndërtimi që pasqyrojnë ndërtimin dhe zhvillimin e Murit të Madh gjatë periudhave të ndryshme të historisë kineze.
Muzeu po kërkon gjithashtu prova materiale që dokumentojnë ngjarje të mëdha, njerëz të rëndësishëm dhe vepra kyçe që lidhen me Murin e Madh, si dhe lloje të ndryshme botimesh të ngjashme.
“Muri i Madh i Kinës është një simbol i qytetërimit kinez”,- tha Ren Jianghao, nënkryetari i distriktit Yanqing të Pekinit, duke vënë në dukje se muzeu duhet të pasurojë më tej koleksionin e tij të relikteve kulturore për të shfaqur historinë dhe kulturën e plotë të Murit të Madh.
Muzeu, i vendosur në zonën piktoreske të Murit të Madh Badaling, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është mbyllur për rinovim dhe përmirësime që nga prilli 2022.
Projekti i rinovimit mbulon një sipërfaqe toke prej rreth 27.000 metra katrorë dhe një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 16.000 metrash katrorë.
I hapur në vitin 1994, muzeu që atëherë ka pritur rreth 10 milionë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit. (Elona)