CFP
Shkëlqimi i Qin Haiyang-ut në Kampionatin Botëror të Sporteve Ujore u shpërblye me një tjetër medalje të artë natën e së mërkurës, kur ylli kinez në ngritje u vu në qendër të skenës në Fukuoka, përpara se t'i ndihmonte shokët e tij të skuadrës të dilnin fitues në stafetën e përzier 4x100 metra.
24-vjeçari, që vendosi rekord aziatik kur fitoi titullin në 100 metra stil bretkosë për meshkuj këtë javë, arriti kohën 26.29 sekonda në finalen e 50 metrave, duke mposhtur pesë herë kampionin e botës, amerikanin Nic Fink, i cili ishte 0.30 sekonda më i ngadalshëm. Edhe bashkatdhetari i Qin-it, Sun Jiajun, u ngjit në podium me 26.79.
Ky shënon herën e parë që Kina fiton një medalje të artë në garën e 50 metrave bretkosë për meshkuj në Kampionatin Botëror. Por Qin tregoi përulësinë dhe gjakftohtësinë e zakonshme, duke shprehur keqardhjen që nuk ishte në gjendje të përsëriste rekordin e arritur në gjysmëfinale.
CFP
"Ndihem se nuk isha në formën më të mirë sot, prandaj e quaj veten me fat që fitova këtë medalje të artë," tha Qin. "Shpresoj që herën tjetër të siguroj një fitore me një diferencë më të madhe. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të ndjek rekordet botërore, dhe do të vazhdojë përpjekjet për të arritur këtë objektiv."
Më vonë po atë ditë, Qin luajti një rol kyç në finalen e stafetës së përzier 4x100. Ai garoi i dyti, pasi Xu Jiayu, duke e vënë ekipin kinez në krye. Kampionia olimpike Zhang Yufei dhe 18- vjeçarja Cheng Yujie ia dolën të ruajnë drejtimin deri në fund, kur ekipi kinez triumfoi për herë të parë në këtë garë në Kampionatin Botëror, duke fituar medaljen e artë me 3:38.57.
Skuadra e ShBA-së, e cila përbëhej nga disa kampionë bote, duke përfshirë Ryan Murphy dhe Kate Douglass, u kënaq me medaljen e bronzit me 3:40.19. Australianët dolën të dytët me kohën 3:39.03. (Xu Guang)
CFP