Anija e parë e madhe kroçerë kineze kalon testin në det
2023-07-26 16:32:02

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Anija e parë e madhe kroçerë e ndërtuar në Kinë, “Adora Magic City”, sapo ka përfunduar testin e parë në det dhe është kthyer në portin e origjinës në Shangai, njoftoi “China State Shipbuilding Corp”, ndërtuesi më i madh i anijeve në botë, citon “China Daily”.  

Prova detare filloi më 17 korrik kur anija kroçerë u nis nga “Shanghai Waigaoqiao Shipbuilding”, një degë e “CSSC” dhe kontraktori i ndërtimit të anijes. Ajo u kthye në kantierin detar të hënën në mbrëmje.  

Gjatë provës tetëditore, inxhinierët testuan 60 funksione, duke verifikuar performancën e sistemeve të anijes, duke përfshirë fuqinë, shtytjen dhe kontrollin, u bë e ditur në një njoftim për shtyp të “CSSC”-së, ku theksohet se inxhinierët kontrolluan gjithashtu dhe komoditetin e anijes për pasagjerët. Inxhinierët do të vazhdojnë të bëjnë rregullime dhe të përfundojnë me arredimin e brendshëm të “Adora Magic City”. Testi i dytë detar i anijes është planifikuar të bëhet para tetorit.  

Nëse gjithçka shkon sipas planit, hoteli lundrues luksoz do t'i dorëzohet përdoruesit të saj në fund të këtij viti, deklaroi Chen Gang, menaxher i përgjithshëm i “Shanghai Waigaoqiao Shipbuilding” dhe projektuesi kryesor i “Adora”.  

Në nëntor 2018, “CSSC” nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për projektimin dhe ndërtimin e dy anijeve kroçerë të klasit Vista 135.500 tonë me “Carnival Corp” dhe “Fincantieri”.  

“Carnival”, një operator kroçerash britaniko-amerikane, është kompania më e madhe në botë e udhëtimeve, ndërsa “Fincantieri”, një kompani italiane, është një nga prodhuesit më të mëdhenj të anijeve turistike në botë.  

Sipas marrëveshjes, anijet po ndërtohen për t'iu përshtatur kërkesave të tregut kinez dhe turistëve kinezë.  Të tri palët gjithashtu kanë një mundësi për të ndërtuar katër anije të tjera të të njëjtit lloj.  

Ndërtimi i anijes së parë kroçerë filloi në “Shanghai Waigaoqiao Shipbuilding” në tetor 2019. (Elona)