Kinë: Përurohet vepra e parë për depozitimin e karbonit me kapacitet mbi një milion tonë në det të hapur
2023-06-01 19:14:38

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Vepra e parë e Kinës për depozitimin e karbonit me kapacitet mbi një milion tonë në det të hapur nisi punën të enjten në Detin e Kinës Jugore, bëri të ditur Korporata Kombëtare e Naftës Detare e Kinës (CNOOC).

Vepra është projektuar për të ruajtur gjithsej më shumë se 1.5 milionë tonë dioksid karboni (CO2), baras me mbjelljen e pothuajse 14 milionë pemëve, sipas kompanisë.

Ky projekt, që i shërben platformës së naftës "Enping 15-1", 200 km në jugperëndim të Shenzhen-it, e kap dhe e përpunon CO2-shin nga fushat naftëmbajtëse dhe pastaj e fut CO2-shin në një strukturë gjeologjike në formë "kupole" në një thellësi rreth 800 metra nën shtratin detar dhe gati 3 km nga platforma.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Vënia në funksionim e kësaj vepre nënkupton zotërimin prej Kinës të një grupi të plotë teknologjish e pajisjesh për kapjen, përpunimin, futjen, ruajtjen dhe mbikëqyrjen e CO2-shit në det, duke hapur rrugën që Kina të realizojë objektivin e "karbonit të dyfishtë", pra të arritjes së kulmit të lëshimeve të dioksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe të asnjanësimit të karbonit brenda vitit 2060, tha kompania.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Në bazë të kësaj vepre, CNOOC-u ka filluar projektin e parë prej 10 milionë tonësh të kapjes e depozitimit të karbonit në vend, në Huizhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore, dhe do të kapë CO2-shin e lëshuar në gjirin Daya e do ta dërgojë në zonën detare të Deltës së Lumit të Perlave për ruajtje. (Artan)