Suedia mund të ashpërsojë rregullat për lejet e qëndrimit të përhershëm
2023-05-31 15:56:02

Foto nga VCG

Të huajt që kërkojnë qëndrim të përhershëm në Suedi duhet të kalojnë testet e gjuhës dhe të kenë njohuri se si funksionon shoqëria suedeze, thuhet në një raport të paraqitur në qeveri të hënën.

Sipas raportit të këshilltarit të Gjykatës së Apelit, Fredrik Fries, testet duhet të futen në vitin 2027 për të huajt 18 vjeç e lart që kërkojnë qëndrim të përhershëm, bën të ditur “Xinhua”.

“Për dikë që do të jetojë dhe punojë në këtë vend, është absolutisht thelbësore të ketë njohuri të gjuhës suedeze dhe të njohë kushtet themelore në shoqërinë suedeze. Njeriu duhet të kuptojë se çfarë detyrimesh, por edhe të drejtash ka”,- tha ministrja për Emigracionin, Maria Malmer Stenergard, për televizionin suedez “SVT”.

Sipas saj, qëllimi është të promovohet integrimi dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse ku individi rrit mundësitë për të marrë pjesë aktive në shoqëri.

Megjithatë, refugjatët e kuotave dhe ata me dëmtime fizike ose mendore do të përjashtohen nga kjo masë, raportoi “SVT”.

“Suedia është një nga vendet e pakta pa një kërkesë të tillë dhe ideja është që legjislacioni suedez t'i afrohet atij të vendeve të tjera”,- tha Fries.

Sipas Agjencisë Suedeze të Emigracionit, 6990 shtetasve të huaj iu dha leja e qëndrimit të përhershëm në vitin 2022. (Elona)