Autoriteti i Konkurrencës vendos lejimin e ofrimit të shërbimit taksi në aeroportin e Rinasit
2023-05-27 14:19:46

Foto nga ATSH

Autoriteti i Konkurrencës mori në shqyrtim rastin në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës dhe vendosi lejimin e aksesit pa kushte për të gjitha ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës si dhe heqjen e tabelës me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, citon “ATSH”.

Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit të tregut të shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se u konstatua se, në zonën e jashtme të mbërritjeve (ose ndryshe zona Kiss & Fly) e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, nëpërmjet një tabele sinjalistike nuk lejohet aksesi që subjekte të tjera të licencuara të ofrojnë shërbimin e taksive për udhëtarë nga aeroporti drejt Tiranës të cilët nuk kanë pasagjerë brenda. Ky akses lejohet vetëm për taksitë e ndërmarrjes “Auto Holiday Albania”.

“Referuar sjelljes së ndërmarrjes “Tirana International Airport SHPK” në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, vlerësojmë se jemi përpara një rasti urgjence për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg, në shkelje të nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003”, bëri të ditur Autoriteti i Konkurrencës. (Irma)