Rriten me 8% hyrje-daljet e udhëtarëve nëpërmjet Portit të Durrësit
2023-05-24 15:32:19

Foto nga ATSH

Transporti i udhëtarëve nga Porti i Durrësit drejt porteve italiane dhe anasjelltas ka ruajtur trend rritës gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, tragetet e linjave Durrës-Bari/Ankona-Durrës kanë realizuar 291 lundrime, duke transportuar 152.377 pasagjerë, prej të cilëve 93.425 shqiptarë dhe 45.670 të huaj, përcjell “ATSH”.

Të njëjtat burime konfirmojnë se vetëm gjatë muajit prill 2023, në pikën kufitare të Portit të Durrësit kanë hyrë dhe dalë 42.416 pasagjerë dhe 16.008 vetura, trajlera e kamionë. Ky numër reflekton një rritje me 3287 pasagjerë më shumë, në raport me prillin 2022.

Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me të gjitha instancat, të cilat operojnë në portin më të madh në vend, janë duke planifikuar dhe masat e nevojshme për sezonin turistik veror, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së operacioneve në nisje të këtij sezoni, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve. (Elona)