Një dekadë e platformës Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore
2023-05-20 00:09:53

Nga perspektiva e një vendi të vogël dhe një vendi në zhvillim, ajo që platforma Kinë-EQL ofron duhet të jetë joshëse për ekonomistët, politikëbërësit dhe bizneset. Në mënyrë që të parashikojmë më mirë se si mund të shfrytëzojmë potencialin e bashkëpunimit në platformën Kinë-EQL, këto vitet e fundit mund të merren parasysh si një kohë reflektuese për të analizuar se ku qëndrojmë dhe ku duam të jemi në të ardhmen.

 

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo(Foto:VCG)

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo, Maj 2023(Foto:VCG)

Çfarë vërehet nga Shqipëria?

Që në fillimet e kësaj platforme, pritshmëritë ishin të larta, por edhe ndoshta disi të keqinterpretuara. Në rastin e Shqipërisë kishte një qasje disi pragmatike. Një dekadë më vonë, nën ombrellën e kësaj platforme, në Shqipëri është vënë re një intensifikim i  organizimeve të tryezave të rrumbullakëta, takimeve tregtare, trajnimeve, informacione mbi shtetet përkatëse.

Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe në kuadër të marrëveshjes Kinë-EQL ka pasur shumë progres në nivelin e komunikimit, por ka ende një potencial të madh që duhet shfrytëzuar. Në ekspozitën Ningbo të vendeve Kinë-EQL, kompanitë shqiptare sollën produkte si verë, birrë, vaj ulliri, ujë mineral, mjaltë etj me cilësi të lartë, duke dashur të hyjnë më intensivisht në tregun kinez. Nga ana tjetër, ambasada kineze në Shqipëri ka qenë jashtëzakonisht proaktive në nxitjen dhe promovimin e çdo lloj bashkëpunimi dhe komunikimi midis vendeve në kuadër të platformës Kinë-EQL dhe më gjerë.

Por është vënë re se edhe angazhimi i nivelit të lartë qeveritar ka qenë në qendër. Kryeministri shqiptar ka marrë pjesë në 7 nga 9 takime me homologun kinez [Bukuresht 2013, Beograd 2014, Suzhou 2015, Riga 2016, Sofje 2018, Dubrovnik 2019, Pekin virtual 2021]. Vetëm në dy raste ka marrë pjesë zëvendëskryeministri [Varshavë 2012, Budapest 2017]. Kjo ka krijuar mundësi shtesë për liderët përkatës për të shkëmbyer ide dhe për të koordinuar politikat.

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo, Maj 2023(Foto:VCG)

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo, Maj 2023(Foto:VCG)

Kemi parë edhe intensifikim të shkëmbimeve në nivel lokal, si psh. në Tirane më 25 tetor 2019, Kryebashkiaku i Tiranës dhe nënkryetari i Bashkisë së Pekinit bashkë-organizuan një aktivitet, ku morën pjesë kryetarët e bashkive të Sarajevës, Podgoricës, Shkupit dhe Beogradit, zyrtarë të kryeqyteteve të EQL-së – si dhe Përfaqësuesja Speciale e Bashkëpunimit Kinë-EQL në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës. Në fund të forumit, palët pjesëmarrëse nënshkruan një deklaratë të përbashkët, sipas së cilës ranë dakord të promovojnë menaxhimin e rafinuar në qytetet e tyre përkatëse dhe të marrin Forumin e Kryebashkiakëve të Kryeqyteteve Kinë-EQL si një platformë për të shkëmbyer përvoja në drejtim të qeverisjes urbane, përmirësimit të kapacitetit qeverisës dhe efektivitetit. Në brendësi shpresohej që kjo ngjarje të mund të rriste profilin e Shqipërisë brenda platformës.

Një tjetër arritje është ajo e heqjes së vizave. Shqiptarët  tashmë mund të udhëtojnë në Kinë pa viza, dhe e anasjellta, dhe kjo u nis vite më parë, në një takim të platformës Kinë-EQL. Ky është një shembull tjetër nga Shqipëria i arritur me memorandumet e nënshkruara në kuadër të platformës Kinë-EQL. Kjo fillimisht ishte për 6 muaj dhe më pas për gjatë gjithë vitit. Në këtë rast, sektori i turizmit shqiptar dëshmoi një rritje të klientëve të rinj nga Kina, dhe udhëtarët kinezë fitojnë duke pasur akses më të lehtë në një vend në Mesdhe. Kjo përvojë tregoi se numri i turistëve kinezë që vizitojnë vendin u rrit me 48% nga 2018 në 2019. Kjo marrëveshje do të kontribuojë në shumë fusha, por veçanërisht në turizëm, tregti dhe shkëmbime njerëzore. Në vazhdim të forcimit të  angazhimeve, në shkurt të këtij viti, një tjetër arritje në marrëdhëniet dypalëshe thellon atë që mund të realizojë marrëveshja për heqjen e vizave. Ambasadori i Kinës në Shqipëri dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit  nënshkruan “Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU) për bashkëpunimin turistik midis Kinës dhe Shqipërisë.

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo, Maj 2023(Foto:VCG)

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo, Maj 2023(Foto:VCG)

Duket se është një dëshirë mes dy vendeve për të avancuar marrëdhëniet, bazuar në mirëkuptimin e ndërsjellë. Për këtë qëllim, lehtësimi i shkëmbimeve ndërkufitare bëhet një hap i jashtëzakonshëm përpara për thellimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve.

Por më tej, më 29 tetor 2021, Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm i atëhershëm Wang Yi mbërriti në Shqipëri për një vizitë zyrtare shtetërore. Në axhendën e ministrit ishin tre takime të nivelit të lartë dhe një nga fjalët kyçe që ai përdori në këtë takim me autoritetet shqiptare ishte “motor i dyfishtë”. Kina do të mbështesë gjerësisht efektet shtytëse të nismës “Një brez, një rrugë”  dhe platformës Kinë-EQL për t'u shërbyer vendeve të rajonit për të arritur atë që dëshirojnë më shumë, zhvillimin.  Ministri kinez u shpreh ne Tiranë se këto dy nisma do të shërbejnë për të përkthyer potencialin për bashkëpunim dypalësh në rezultate të prekshme.

Bota është një vend krejtësisht tjetër që nga fillimi i këtij bashkëpunimi dhe ashtu si kohët ky bashkëpunim  duhet të evoluojë me nevojat dhe realitetin përkatës, në mënyrë që të gjithë të mund të përfitojnë nga pikat e forta të saj dhe të identifikojnë potencialin e pashfrytëzuar.

Bashkëpunimi Kinë-EQL po krijon bazat për intensifikimin e marrëdhënieve në të ardhmen mbi bazën e njohjes reciproke. Kontaktet e intensifikuara na bëjnë më të prirur për të kuptuar dhe pranuar realitetet e njëri-tjetrit. Rëndësia e dialogut dypalësh qëndron përtej elementit politik. Dialogu ndërqeveritar,  kulturor, tregtar, etj, dhe veçanërisht nënshkrimi i marrëveshjeve hapin një dritare komunikimi dhe krijojnë një lloj historie të përbashkët për shkëmbime më të frytshme mes palëve.

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo, Maj 2023(Foto:VCG)

Ekspozita vjetore Kinë-EQL në Ningbo, Maj 2023(Foto:VCG)

Kjo platformë është një përpjekje pioniere dhe nga pala kineze ka pasur dhe ka mbështetje të plotë për të arritur sa më shumë në kuadër të saj.  Baza konstruktive e saj është se anëtarët bashkërisht, diskutojnë rregullat e lojës, bashkërisht duhet ta ndërtojnë atë sipas nevojave dhe vizioneve përkatëse, dhe bashkërisht ndajnë rezultatet.

Një dekadë nga krijimi i saj, të gjithë mund të pohojnë se platforma Kina-EQL po promovon rrugën e sinergjisë dhe po përpiqet të intensifikojë bashkëpunimin midis anëtarëve të saj, ndërsa përpiqet të gjejë baza të përbashkëta për të kuptuar më mirë realitetet e njëri-tjetrit. Kryefjala është sinergjia, nëse ajo do promovohet dhe do të ngrihet në nivele më të larta, atëherë kjo platformë do të jetë më e dobishme, më tërheqëse dhe në fund të fundit më e suksesshme.

 

Dr. Marsela Musabelliu