Sindikatat çeke kërcënojnë me greva kundër paketës shtrënguese të qeverisë
2023-05-18 18:00:01

CFP

CFP

Sindikatat kryesore në Republikën Çeke kërcënuan se do të zhvillojnë greva nëse qeveria nuk hyn në negociata për paketën e ardhshme shtrënguese, mbi planin e rimëkëmbjes së financave publike.

Sindikata e Organizatave Shtetërore bëri të ditur se paketa konsoliduese e qeverisë çeke do të kishte efekte të paprecedenta mbi punonjësit dhe familjet e tyre, përcjell “Xinhua”.

Përfaqësuesja e sindikatës Honza Exner deklaroi se qeveria dëshiron që paketa e saj e masave shtrënguese të paguhet kryesisht nga punonjësit dhe familjet e tyre, por edhe nga të moshuarit dhe të rinjtë.

Qeveria prezantoi të enjten planin e rimëkëmbjes së financave publike, duke e quajtur atë një mënyrë për të ndryshuar trendin e rritjes së borxhit të shtetit.

Plani synon të shkurtojë shpenzimet me rreth 94 miliardë korona çeke (4.4 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2024 dhe me 148 miliardë korona në vitin 2025. Kjo do të arrihet duke rritur moshën e daljes në pension, duke rritur taksat e korporatave dhe pasurive të paluajtshme, si dhe taksat mbi alkoolin. Po ashtu, sipas planit, do të ketë edhe shkurtime të vendeve të punës në sektorin publik.

Që nga pandemia e Covid-19, deficitet e mëdha buxhetore kanë ulur vlerësimin e kreditit të Republikës Çeke dhe shumë ekspertë e shohin planin shtrëngues të qeverisë si të pashmangshëm.

Megjithatë, pavarësisht presionit nga sindikatat, koalicioni qeverisës ka treguar se ende nuk do të pranojë kritikat ndaj paketës. (Irma)