Markat kineze të makinave elektrike i kushtojnë vëmendje Europës
2023-05-18 18:31:41

CFP

CFP

Prodhuesit kinezë të automjeteve kanë vendosur synimet e tyre në tregun europian të makinave elektrike, me një të tretën e kompanive nga Kina që ekspozojnë modelet në panairin “Automobile Barcelona”, që zhvillohet gjatë kësaj jave.

Në panair janë paraqitur prodhuesi kryesor i automjeteve elektrike në Kinë, “BYD Auto”, si dhe “DFSK” dhe “SWM” të grupit “Invicta”, “Maxus”, “Evo”, “DR”, “ICKX” dhe “Aiways”.

“Këtë vit ka shumë marka kineze, që është një sukses i vërtetë sepse tregon se ata e shohin Barcelonën si portë për në Europë, si dhe një treg të ri për makinat e tyre, të cilat janë tërheqëse, me çmime të mira dhe të gjitha elektrike”,- deklaroi për “Xinhua” Enrique Lacalle, presidenti i “Automobile Barcelona”.

“Në edicionin e ardhshëm pas dy vitesh shpresojmë të shohim edhe më shumë marka kineze”, shtoi ai.

Në vitin 2022, prodhuesit kinezë të makinave elektrike dyfishuan pjesën e tyre të tregut në Europë në 9 për qind, sipas kompanisë konsulente të tregut “Inovev”.

Një studim i fundit nga “PëC” parashikoi se deri në vitin 2025 në Europë mund të shiten gati 800.000 makina të prodhuara në Kinë.

CFP

CFP

Tregu i makinave elektrike kineze gjithashtu është rritur me shpejtësi në Spanjë, me importet e automjeteve të prodhuara nga Kina duke u shumëzuar me 20 në vitin 2022, sipas shifrave të publikuara në mars nga Shoqata spanjolle e Prodhuesve të Automobilave.

Vlera e këtyre importeve u rrit në 1.39 miliardë euro (1.51 miliardë dollarë amerikanë), nga 68 milionë euro (73.86 milionë dollarë) në vitin 2021.

Duke u shtrirë në një sipërfaqe prej 100.000 metra katrorë, në Montjuic, panairi “Automobile Barcelona” është i hapur nga 13 deri më 21 maj. Organizatorët thonë se presin mbi 300.000 vizitorë në panairin, i cili këtë vit përqendrohet në automjetet elektrike nën temën “Electrizante”. (Irma)