Këngët e gjeneruara nga inteligjenca artificiale ngrenë shqetësime për shkelje
2023-05-18 16:13:57


Foto nga VCG

Këngëtarja nga Singapori, Stefanie Sun, është përfolur në platformat e mediave sociale kineze, jo për një album apo koncert të ri, por për një version të inteligjencës artificiale të zërit të saj.

Javët e fundit, një sërë videosh muzikore që shfaqin zërin e saj kanë krijuar bujë pasi janë ngarkuar në “Bilibili.com”, një platformë e njohur kineze për ndarjen e videove. Në mënyrë të pabesueshme, asnjë nga këngët nuk u këndua nga vetë Sun, por janë gjeneruar nga një softuer i inteligjencës artificiale.

Njëra prej tyre, një video e “Fa Ru Xue”, ku zëri i Sunit ishte futur në mënyrë digjitale në vend të këngëtarit origjinal kinez, Jay Chou, është parë më shumë se 1.6 milionë herë në platformë që nga postimi më 14 prill.

Përveç gjenerimit të zërit të Sun, softueri ka përsëritur gjithashtu zërat e këngëtarëve të tjerë të famshëm, duke përfshirë pop divën Faye Wong dhe JJ Lin të Singaporit.

Shumë shikues u shokuan nga këngët e krijuara nga inteligjenca artificiale, duke komentuar se është shumë e vështirë të dallosh zërat e idhujve të tyre nga versionet e inteligjencës artificiale, me disa që përqafojnë teknologjinë që u ofron njerëzve një mënyrë tjetër për të shijuar muzikën e tyre të preferuar.

Megjithatë, profesionistët ligjorë kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të autorit.

“Këto këngë të krijuara nga inteligjenca artificiale supozohet se shkelin të drejtat e autorit të këngëtarëve, tekstshkruesve dhe kompozitorëve, edhe pse persona që mbështesin inteligjencën artificiale argumentojnë se i bëjnë ato vetëm për argëtim dhe falas”,- tha Liu Bin, një avokat i specializuar në trajtimin e çështjeve të pronësisë intelektuale në firmën ligjore në Pekin, “Zhongwen”.

“Është e vështirë për prodhuesit e këngëve të krijuara nga inteligjenca artificiale të shpjegojnë se ata nuk i kanë bërë këngët për fitim, sepse ngarkimi i videove në një platformë kaq të madhe transmetimi mund të konsiderohet ligjërisht si sjellje biznesi”,- tha ai.

Zhao Zhanling, një tjetër avokat nga Pekini, tha se përdorimi i inteligjencës artificiale për të simuluar zërin e një këngëtari pa leje, dhe më pas shpërndarja në masë e tij, plotëson përkufizimin e shkeljes sipas Ligjit Kinez për të Drejtën e Autorit.

“Për më tepër, nëse një këngëtar regjistron me sukses një markë tregtare përmes zërit të tij unik ose të njohur, këngët e krijuara nga inteligjenca artificiale mund të konsiderohen edhe si shkelje e markës tregtare”,- shtoi Zhao.

Të dy avokatët vunë në dukje se videot muzikore që shfaqin zëra të gjeneruar nga inteligjenca artificiale mund të kenë shkelur gjithashtu emrat, portretet dhe të drejtat e zërit të atyre këngëtarëve.

Duke cituar Kodin Civil Kinez, Liu tha se mbrojtja e zërave është e njëjtë me mbrojtjen e portreteve, që do të thotë se asnjë individ apo organizatë nuk mund të poshtërojë ose falsifikojë zërat e të tjerëve me anë të teknologjisë së informacionit.

“Zëri është një e drejtë personale. Tonet unike apo të dallueshme madje kanë vlerë biznesi, siç ka zëri i Sun. Pra, përdorimi i zërit të saj pa lejen e saj mund të jetë një shkelje”,- tha ai.

Ekspertët shtuan se përdorimi i emrave të të famshmëve dhe imitimi i zërit të tyre përmes inteligjencës artificiale mund të krijojë gjithashtu konkurrencë të pandershme, sepse akti mund të mashtrojë audiencën dhe të ngatërrojë publikun.

Produktet dhe shërbimet e lidhura me inteligjencën artificiale janë rritur me shpejtësi. Ndërkohë që kanë përmirësuar efikasitetin e jetës dhe punës së njerëzve, kanë krijuar edhe probleme të reja.

Në prill, Administrata kineze e Hapësirës Kibernetike, rregullatori më i lartë i internetit në vend, filloi të kërkojë opinione publike mbi një plan-projekt që adreson shërbimet e reja të inteligjencës artificiale, që synon të rregullojë aplikimin e teknologjisë së re dhe të promovojë zhvillimin e saj të shëndetshëm.

Zhao tha se ai e konsideron draftin si një përgjigje të shpejtë ndaj industrisë së re nga sundimi i ligjit dhe e lavdëroi atë për vendosjen e kufijve.

“Për shembull, sipas draftit, ofruesit e shërbimeve të krijuara nga inteligjenca artificiale duhet të garantojnë që të dhënat që përdorin për trajnime nuk duhet të cenojnë pronën intelektuale të të tjerëve dhe të drejtat e tjera legjitime, si dhe përmbajtja e krijuar duhet të shënohet”, tha ai.

Drafti prej 21 nenesh sqaroi se vendi mbështet inovacionin, promovimin, përdorimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për inteligjencën artificiale, por nënvizoi se do të ndërmerren veprime nëse produktet e krijuara nga inteligjenca artificiale, përfshirë tekstet, imazhet, zërat dhe videot, zbulohet se kanë shkelur kushtet, imazhet, reputacionin, privatësinë e njerëzve ose sekrete biznesi.

Deri më tani, këngëtarët e përfshirë në këngët e gjeneruara nga inteligjenca artificiale nuk i janë përgjigjur përdorimit të zërit të tyre, por disa muzikantë kanë treguar interesin e tyre për teknologjinë.

Këngëtarja kanadeze Grimes i mirëpret hapur njerëzit që përdorin inteligjencën artificiale për të imituar zërin e saj për qëllime krijuese, duke thënë se krijuesit janë të lirë të përdorin zërin e saj pa penalitet dhe se ajo do të ndajë me ta honorarët që rrjedhin nga çdo regjistrim i suksesshëm, sipas një raporti nga “Shine”, një media digjitale drejtuar nga “Shanghai Daily”.

Raporti përmendi gjithashtu Zhao Hong, një reper kinez i njohur si Xiao Lao Hu, i cili ka 486.000 ndjekës në “Sina Weibo”, platforma kineze e ngjashme me “Twitter”-in. Zhao tha se është i interesuar të mësojë se si të punojë me inteligjencën artificiale, duke shtuar se do të jetë e vështirë të krijosh përmbajtje në të ardhmen pa e përdorur atë.