Samiti Kinë-Azi Qendrore nxit bashkëpunimin dypalësh
2023-05-17 11:30:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të enjten e të premten do të mbahet në qytetin Xian të Kinës Perëndimore Samiti i 1-rë Kinë-Azi Qendrore. Kjo do të jetë hera e parë që Kina dhe pesë vendet e Azisë Qendrore zhvillojnë samit që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet tyre në vitin 1992.

Gjatë këtyre 31 vjetëve, marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore janë ngritur në nivelin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik dhe bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat ka hyrë në rrugën e zhvillimit të shpejtë.

Tani Kina dhe vendet e Azisë Qendrore janë në etapën e rëndësishme të zhvillimit. Kina po punon për të nxitur një rrugë kineze për modernizimin, kurse vendet e Azisë Qendrore po shpejtojnë zhvillimin duke mirëpritur forcimin e bashkëpunimit me Kinën. Njëkohësisht, këto vende kanë vullnet të fortë për përballimin së bashku të sfidave. Në këtë sfond, zhvillimi i Samitit Kinë-Azi Qendrore do të nxitë thellimin e besimit të ndërsjellë strategjik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy palëve.

CFP

CFP

Kina dhe vendet e Azisë Qendrore kanë hapësirë të gjerë për bashkëpunimin ekonomik. Gjatë vizitës në Kazakistan në vitin 2013, presidenti kinez Xi Jinping paraqiti për herë të parë idenë për ndërtimin e përbashkët të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, duke u sjellë të dy palëve mundësi të mëdha zhvillimi. Në vitin 2022, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore arriti në 70.2 miliardë dollarë, duke u rritur  mbi 100 herë në krahasim me periudhën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Rreth 80 % e trenave të mallrave Kinë-Europë kalojnë nëpër Azinë Qendrore. Dy palët kanë pasur rezultate në ndërtimin e infrastrukturës, si tuneli hekurudhor “Angren-Pap” në Uzbekistan, qendra e bashkëpunimit kufitar “Horgos” Kinë-Kazakistan, autostrada Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan etj.

CFP

CFP

Tregu i madh kinez u ka sjellë vendeve të Azisë Qendrore mundësi të mira. Sot gazi natyror i Azisë Qendrore transportohet pa pushim në Kinë dhe mallrat nga Azia Qendrore shiten në platforma të ndryshme të tregtisë elektronike të Kinës. Qumështi i devesë i Kazakistanit, mjalti nga Kirgizistani, qershia e Uzbekistanit etj. kanë hyrë në shtëpitë e kinezëve. Tani Kina dhe Azia Qendrore po forcojnë bashkëpunimin në fusha si  energjia e re, ekonomia digjitale dhe teknologjia e  lartë.

Kina dhe pesë vendet e Azisë Qendrore janë vende në zhvillim dhe mbrojnë me vendosmëri multilateralizmin dhe ligjin ndërkombëtar, duke e përkrahur njëra-tjetrën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të tërësisë territoriale. Nëpërmjet platformave dypalëshe e shumëpalëshe, si Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, Kina dhe pesë vendet e Azisë Qendrore godasin së bashku terrorizmin, separatizmin dhe ekstremizmin, duke mbrojtur paqen e qëndrueshmërinë rajonale e botërore. Dekani i Fakultetit të Trashëgimive Historike e Kulturore dhe Studimeve Klasike të Institutit Ndërkombëtar të Azisë Qendrore (Tashkent) Alisher Sobirov është i mendimit se zhvillimi i Samitit Kinë-Azi Qendrore do të thellojë më tej bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, duke krijuar një të ardhme paqësore, të qëndrueshme e të lulëzuar rajonale, (Fani)

CFP

CFP