Presidenti Xi urdhëron përpjekje të gjithanshme shpëtimi pas mbytjes së anijes kineze të peshkimit
2023-05-17 17:52:14

Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar përpjekje të gjithanshme shpëtimi, pasi një anije kineze për peshkim në thellësi të detit u mbyt të martën në mëngjes në Oqeanin Indian.

Anija kineze e peshkimit në det të thellë u përmbys në zonën qendrore të Oqeanit Indian rreth orës 3:00 të mëngjesit të së martës sipas orës së Pekinit, duke sjellë humbjen e 17 detarëve kinezë, 17 indonezianë dhe pesë filipinas pjesëtarë të ekuipazhit. Deri tani nuk është gjetur asnjë i zhdukur dhe punët e kërkim-shpëtimit po vijojnë.

Pas aksidentit, presidenti Xi dha udhëzime, duke i kërkuar Ministrisë së Bujqësisë e Çështjeve Rurale dhe Ministrisë së Transportit të Kinës, si edhe provincës Shandong, që të aktivizojnë menjëherë mekanizmin e reagimit ndaj emergjencave për të verifikuar situatën dhe për të dërguar forca shtesë shpëtimi.

Ai kërkoi gjithashtu bashkërendimin e ndihmës ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit detar e që të bëhet çdo përpjekje për shpëtimin.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadat përkatëse jashtë vendit duhet të forcojnë kontaktet me palët përkatëse për të bashkërenduar punët e  shpëtimit, tha kreu i shtetit kinez.

Xi gjithashtu urdhëroi që të forcohen paralajmërimet e hershme për rreziqet e sigurisë lidhur me operacionet në largësitë detare për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së njerëzve.

Kryeministri Li Qiang, në një udhëzim të veçantë, kërkoi përpjekje maksimale për të bashkërenduar palët përkatëse për të organizuar punën e shpëtimit dhe për të pakësuar numrin e viktimave.

Qendra e Kërkim-Shpëtimit Detar e Kinës ka kërkuar nga vendet përkatëse ndihmë lidhur me aksidentin dhe Ministria e Jashtme kineze ka kontaktuar departamentet përkatëse në Australi, Sri-Lankë, Maldive, Indonezi, Filipine dhe vende të tjera për t'u bashkuar me operacionet e kërkim-shpëtimit. (Çang Çuo)