Arritjet e bashkëpunimit Kinë-Azi Qendrore
2023-05-16 16:11:23

Të enjten do të hapet në qytetin Xian të Kinës Veriperëndimore Samiti Kinë  - Azi Qendrore. Me ftesën e palës kineze, në këtë veprimtari do të marrin pjesë presidentët e Kazakistanit, Kirgizistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.

Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike tre dekada më parë, Kina dhe pesë vendet e Azisë Qendrore kanë zhvilluar partneritete strategjike dhe kanë gjetur një rrugë të re të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, duke krijuar kështu një model të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjatë 30 vjetëve të fundit, Kina dhe vendet e Azisë Qendrore kanë shtuar njohjen e ndërsjellë dhe afrimin nëpërmjet shkëmbimeve të ndërsjella. Deri vjet, ndërmjet të dy palëve ishin krijuar 58 binjakëzime qytetesh dhe në vendet e Azisë Qendrore ishin hapur 13 institute "Konfuci" dhe 22 klasa "Konfuci". Shumë universitete kineze kanë krijuar gjithashtu qendra kërkimore që përqendrohen në vendet dhe gjuhët e Azisë Qendrore.

Hekurudha Ekspres e Kinës, e cila kalon nëpër Azinë Qendrore, ka pasur gjithashtu një rritje të shpejtë. Qendra e montimit e kësaj hekurudhe në Xian ka 17 linja kryesore nga ky qytet për në vendet e Azisë Qendrore, duke u bërë një "kanal i artë" për logjistikën e dyanshme Kinë-Azi Qendrore. Treni i mallrave "Chang'an" i Hekurudhës Ekspres të Kinës ka kryer mbi 160 000 udhëtime në dhjetë vjet që nga vënia në qarkullim në vitin 2013.

Gazsjellësi Kinë - Azi Qendrore,  që përshkon Turkmenistanin, Uzbekistanin e Kazakistanin dhe lidhet me Rajonin Autonom të Xinjiang- Ujgurit të Kinës, është tubacioni i parë transkombëtar i gazit në Kinë. Ky gazsjellës ka dërguar më shumë se 400 miliard metra kubë gaz natyror në Kinë që nga viti 2009.