Energji e re nga Rruga e vjetër e Mëndafshit
2023-05-16 19:57:14

Foto nga VCG

Andijan, që ndodhet në pjesën lindore të hekurudhës së Uzbekistanit, ishte qendër e rëndësishme e Rrugës së lashtë të Mëndafshit. Tani ky qytet i lashtë përsëri u bë pikë e rëndësishme lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. Sipas planit, Andijan do të bëhet stacioni i fundit i hekurudhës Kinë - Kirgistan - Uzbekistan.

Ilkhom Makhkamov, ministri i Transportit i Uzbekistanit:

"Para së gjithash, do të ndihmojë në rritjen e shpejtësisë së transportit, do të shkurtojë rrugën nga Kina në Evropë me rreth 900 ose 1000 kilometra, si dhe do ta bëjë më të përshtatshëm udhëtimin nga Uzbekistani në Evropë."

Bisedimet mbi hekurudhën Kinë - Kirgistan - Uzbekistan zgjatën 20 vjet. Në majin e kaluar, Kina, Kirgistani dhe Uzbekistani nënshkruan dokumentin përkatës të bashkëpunimit, gjë që shënon se ky projekt ka hyrë në rrugën e duhur. Gjatësia e kësaj hekurudhe do të jetë afër 523 kilometra, nga të cilët 213 kilometra do të jenë brenda kufirit të Kinës, 260 kilometra brenda Kirgistanit dhe 50 kilometra në Uzbekistan. Pas mbarimit të ndërtimit, kjo do të jetë hekurudha më e shkurtër për transportin e mallrave nga Kina deri në Europë dhe Lindjen e Mesme.

Cornel Ciurea, komentator politik moldav:

"Kina po luan një rol më të rëndësishëm në sferë rajonale dhe globale. Një shembull është që do të organizohet Samiti Kinë-Vendet e Azisë Qendrore. Nisma "Një brez, një rrugë" e propozuar nga presidenti kinez në vitin 2013 ka arritur përparime të mëdha në fushën e projekteve ekonomike."

Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i Kazakistanit:

"Kam shumë shpresa për Samitin Kinë - Azi Qendrore, që do të zhvillohet në Xian. Kina luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në gjithë botën dhe në Azinë Qendrore dhe kjo është krejt e natyrshme. Mendoj se të gjithë kolegët e mi në Azinë Qendrore do të pajtoheshin me mua se ne përfitojmë nga marrëdhëniet tona me Kinën dhe do të bëjmë çmos për ta promovuar këtë lloj bashkëpunimi."

Foto nga VCG

Francesco Maringiò, kryetari i Shoqatës Italiane të Promovimit të Rrugës së Re të Mëndafshit:

"Nuk është e vështirë të imagjinohet se dokumentet politike që do të nënshkruhen në samit, do të përfshijnë problemet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët, si ruajtja e qëndrueshmërisë rajonale dhe luftimi i ekstremizmit e terrorizmit. Ky samit do të jetë edhe një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë diplomatike të Kinës në muajt e fundit për të shuar flakët e luftës përmes rrugëve politike dhe për të mos lejuar që përshkallëzimi i luftës ta kthejë botën në humnerën e konfliktit."

Abdulaziz Alshaabani, specialist për problemet e Kinës nga Arabia Saudite:

"Rezultatet gjithëpërfshirëse pritet të arrihen në shumë fusha, qofshin ato politike, ekonomike e të sigurisë, pasi vendet pjesëmarrëse pritet të arrijnë një konsensus të ri bashkëpunimi mes sfidave dhe rreziqeve të reja në rajon."

Enriko Ceko, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Vazhdueshëm:

"Kina zbaton ide mbi Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe integrimit të Azisë Qendrore. Këto tre nisma janë edhe mishërime të konceptit të rëndësishëm të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit të paraqitur nga Kina dhe janë shfaqje konkrete e kontributeve për promovimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit në Euroazi etj."

Foto nga VCG

Vicentiu Gheorghe, kryetar nderi i Shoqatës ChinaRo:

"Gjatë 10 viteve, Kina ka paraqitur nismën ‘Një brez, një rrugë’, që ka sjellë projekte të mëdha të infrastrukturës për vendet e pazhvilluara, duke përfshirë hekurudha, autostrada, termocentrale, tubacione gazi natyror etj. Dëshira e vendeve të Azisë Qendrore për bashkëpunim me Kinën është shumë e fortë, jo vetëm për arsye që bashkëpunimi dypalësh në fushat e energjisë, të inflastrukturës etj. ka pasur një hov të madh, por edhe ngase këto vende kanë qëndrime të njëjta me Kinën në shumë çështje ndërkombëtare."

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të Hesenit në Gjermani dhe konsulent i lartë i Qendrës Ndërkombëtare të Promovimit të Investimeve në Kinë (Gjermani):

"Ka një shprehje gjermane që thotë: ‘Një fqinj afër është më mirë se një mik larg’. Kina dhe vendet e Azisë Qendrore janë fqinjë të ngushtë dhe miq të mirë. Siç tha presidenti Xi në samitin virtual në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe pesë vendeve të Azisë Qendrore në janar 2022, Kina dhe vendet e Azisë Qendrore kanë qenë gjithmonë fqinjë të mirë, partnerë të mirë, miq të mirë dhe vëllezër të mirë.” (Çang Çuo)