Shqipëria e treta në botë për rritjen e fluksit të turistëve
2023-05-15 10:56:57

Shqipëria është një nga shtetet që ka pësuar rritjen më të lartë të turistëve të huaj gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2023. Krahasuar me nivelet para pandemisë, Shqipëria ka pësuar një rritje me 54% të turistëve të huaj vetëm për periudhën janar-mars.

Këto të dhëna janë publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit, (UNWTO), ku Shqipëria renditet vendi i tretë në botë me rritjen më të lartë të turistëve të huaj, pas Katarit dhe Arabisë Saudite, krahasuar me shifrat e vitit 2019, përcjell “RTSH”.

Sipas UNWTO-së, turizmi ndërkombëtar u rrit me 80% në tremujorin e parë 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 235 milionë turistë udhëtuan në mbarë botën në tre muajt e parë, më shumë se dyfishi i atyre në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Rikuperimi më i madh të turistëve sipas eksperteve të UNWTO-së ka ndodhur me Lindjen e Mesme, krahasuar me nivelet e vitit 2019. (Fatosi)