BSH: PBB-ja shënoi një rritje prej 4.7% në tremujorin e katërt 2022
2023-05-14 13:22:56

Banka e Shqiperise (Foto ATSh)

Banka e Shqiperise (Foto ATSh)

Banka e Shqipërisë publikoi raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti, ku evidenton se ekonomia shqiptare po performon pozitivisht përtej pritshmërive fillestare.

“PBB-ja shënoi një rritje prej 4.7% në tremujorin e katërt 2022, duke mbetur relativisht e qëndrueshme me ritmet e regjistruara në tremujorin paraardhës. Rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, e ushqyer nga bilancet solide të sektorit privat, perspektiva pozitive e tregut të punës dhe rritja e vazhduar e kredisë”, bëri të ditur BSH-ja, citon “ATSH”.

Sipas BSH-së, një prej zhvillimeve më pozitive është rënia e qëndrueshme e inflacionit.

“Inflacioni vjetor shënoi një nivel mesatar prej 6.5 % në tremujorin e parë, duke ardhur në rënie nga mesatarja prej 7.9 % e regjistruar në tremujorin paraardhës. Kjo rënie ishte veçanërisht e shpejtë në muajin mars, kur inflacioni shënoi nivelin 5.3 %. Në këndvështrimin e shportës së konsumit, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, e kryesisht të naftës”, nënvizon BSH-ja.

Raporti i Bankës Qendrore evidenton ecuri mjaft pozitive edhe në treguesit e tjerë, si konsumi apo eksportet, që po vijojnë tendencën e rritjes.