Kush po i thyen “rregullat ndërkombëtare”?
2023-05-14 14:46:00

Shumë media japoneze njoftuan se në samitin e ardhshëm të G7-ës do të kërkohet që Kina të “zbatojë rregullat ndërkombëtare”. Por kjo është një kërkesë shumë e çuditshme: çfarë rregullash ndërkombëtare janë ato dhe si zbatues të këqij të rregullave ndërkombëtare, a janë të kualifikuara vende si ShBA-ja që t’i drejtojnë gishtin Kinës?

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), përsa u përket rregullave ndërkombëtare, në botë ekziston vetëm një grup rregullash të tilla, të cilat janë normat elementare të marrëdhënieve ndërkombëtare të bazuara në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. “Por, ‘Karta e OKB-së’ rrallë përmendet nga disa vende perëndimore si ShBA-ja. Në retorikën e tyre, përdoret më shpesh ‘rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla’. Kjo është një deklaratë e paqartë që nuk ekziston në Kartën e OKB-së, as në deklaratat dhe rezolutat e miratuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe Këshillin e Sigurimit.” - thuhet në koment.

Përfaqësuesi i Kinës në OKB ka paraqitur në mënyrë të hapur pyetje si: “Cilat janë rregullat konkrete për të ashtuquajturin rend ndërkombëtar i bazuar mbi rregulla? Kush janë përpiluesit? Çfarë lidhjeje kanë ato me rendin ndërkombëtar?”. Por vende si ShBA-ja deri tani akoma nuk kanë gjetur një përgjigje. Analistët thonë se arsyeja pse ato hedhin në treg një koncept të tillë shumë të paqartë është se duan ta interpretojnë atë sipas dëshirës, sepse ai i ndan vendet sipas ideologjisë dhe vlerave, i shërben interesave të shumë pak vendeve dhe jo të gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Foto:VCG

Foto:VCG

Si për shembull, mosndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera, është një parim i rëndësishëm i Kartës së OKB-së dhe normë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por, ndihmësi i presidentit amerikan për çështjet e sigurisë kombëtare John Robert Bolton pohoi vitin e kaluar se ShBA-ja ka ndihmuar në planifikimin e grushteve të shtetit në vende të tjera. Në prill të këtij viti, Bolivia protestoi kundër kritikave të komandantit amerikan të Komandës Jugore të ShBA-së Laura J. Richardson për politikat e shfrytëzimit të minierave të litiumit në vendet e Amerikës Latine, duke e quajtur këtë si ndërhyrje në punët e brendshme të këtyre vendeve. Ditët e fundit, presidenti meksikan publikoi një letër dërguar homologut amerikan, duke e akuzuar ShBA-në se po financon organizata e institucione joqeveritare që janë kundër qeverisë, duke ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Meksikës.

Por, qoftë nga “Doktrinat e reja Monroe” në vendet e Amerikës Latine, “revolucionet me ngjyra” në Evropë e Azi, deri në “Pranverën Arabe” në Azinë Perëndimore dhe Afrikën Veriore, luftërat në Afganistan, Irak e Siri, ndërhyrjet e ShBA-së kanë sjellë vetëm kaos dhe katastrofë për qindra milionë banorë të vendeve respektive.

Sigurisht, kjo lloj “ndërhyrjeje” së cilës i përmbahet ShBA-ja nuk do të kursejë as aleatët. Shumë raste të publikuara vitet e fundit për “rrjedhjet” e informacioneve konfidenciale vërtetojnë se ky vend përgjon pa dallim edhe aleatët si Gjermania, Franca, Suedia, Koreja e Jugut, Izraeli, Ukraina etj.

Presidenti meksikan kritikoi veprimet e spiunazhit të ShBA-së në vendin e tij, 17 prill 2023(Foto:VCG)

Presidenti meksikan kritikoi veprimet e spiunazhit të ShBA-së në vendin e tij, 17 prill 2023(Foto:VCG)

Ndërsa, në rajonin e Azi-Paqësorit, ShBA-ja qëndron pas konfrontimit në grupe. Nga “Aleanca e pesë syve”, deri në “QUAD” dhe “AUKUS ”, ShBA-ja po nxit aktivisht paqëndrueshmërinë rajonale për të mbrojtur statusin e saj hegjemonist.

Tani, trupat amerikane në Siri vjedhin naftë e drithëra, ndërsa Japonia zbaton me forcë projektin e shkarkimit të ujit të ndotur radioaktiv në Paqësor. Të gjitha këto tregojnë se vende si ShBA-ja dhe Japonia janë sabotuese të rregullave ndërkombëtare.(Zhang Yan/Edmond)