Zyrtari i lartë i PKK-së thekson përparimin e ribashkimit kombëtar
2023-05-11 11:39:21

Foto nga Xinhua

Wang Huning, një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste të Kinës (PKK), theksoi përparimin me vendosmëri të kauzës së ribashkimit kombëtar gjatë realizimit të rilindjes kombëtare në të gjitha frontet nëpërmjet rrugës kineze të modernizimit.

Në një konferencë mbi çështjet e Tajvanit të mbajtur në Pekin të martën e të mërkurën, Wang, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, theksoi zbatimin e plotë dhe me besnikëri të politikës së gjithanshme të Partisë për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit në epokën e re, duke vënë në dukje gjithashtu ruajtjen e iniciativës dhe të aftësisë për të udhëhequr marrëdhëniet ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit.

Parimi i "Një Kine" dhe Konsensusi i 1992-shit duhet të zbatohen, për të nxitur zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet dy brigjeve të ngushticës, tha Wang.

Sipas tij, duhet të bëhen përpjekje për të treguar respekt dhe kujdes për bashkatdhetarët e Tajvanit, për të sjellë përfitime për ta, për të përmirësuar sistemet e politikat që ndihmojnë në mirëqenien e tyre dhe për të nxitur zhvillimin e përbashkët të dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit.

Zyrtari i lartë theksoi gjithashtu që duhet të rifillojnë dhe të zgjerohen hap pas hapi shkëmbimet ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit dhe duhet të kultivohet miqësia me njerëzit e të gjitha shtresave shoqërore në Tajvan.

Veprimtaritë separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" dhe ndërhyrja e jashtme në çështjet lidhur me Tajvanin duhet të kundërshtohen me forcë dhe sovraniteti kombëtar e integriteti territorial duhet të mbrohen me vendosmëri, tha ai.

Wang Huning theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të udhëheqjes së gjithanshme të Partisë në punën lidhur me Tajvanin.