Fryma e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella Kinë-EQL
2023-05-11 21:34:31

Ditët e fundit nisi zyrtarisht shtrimi i hekurudhës ndërmjet Novi-Sadit në Serbi dhe qytetit kufitar Suboticës. Pas ndërtimit dhe vënies në funksionim të hekurudhës, koha e udhëtimit hekurudhor ndërmjet kryeqyteteve të Hungarisë dhe Serbisë do të shkurtohet nga 8 orë në rreth 3 orë.

Këngëtari serb Slobodan Trkulja thekson:

Themi shpesh se “rrugët nënkuptojnë ndërlidhje.” Jam krenar që po ndërtohet këtu hekurudha Hungari-Serbi, si një projekt i rëndësishëm i nismës “Një brez, një rrugë”. Hekurudha do të sjellë përfitime për vendlindjen time dhe njerëzit, për mua e familjen time, si edhe për Hungarinë dhe vendet e tjera fqinje”.

Foto: VCG

Foto: VCG

Hekurudha Hungari-Serbi nuk është vetëm një shembull i suksesshëm i nismës "Një brez, një rrugë", por edhe një projekt simbol i bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL). Aktualisht është hapur për qarkullim pjesa nga Beogradi në Novi-Sad. Pas përfundimit, hekurudha do të promovojë ndjeshëm ndërlidhjen ndërmjet Serbisë e Hungarisë, madje edhe ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, thotë:

Dekadën e fundit, Kina dhe Serbia kanë pësuar ndryshime të mëdha dhe kanë bërë përparime të rëndësishme në fusha të ndryshme. Kjo është e pandashme nga kujdesi dhe udhëheqja e liderëve të të dy vendeve, e pandashme nga nisma “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmi i bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të EQL-së. Populli serb ka përfituar shumë nga bashkëpunimi mes Kinës e Serbisë.

Gjallëria e mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së pasqyrohet në bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella. Përveç ndërtimit të infrastrukturës së transportit, si hekurudhat dhe autostradat, bashkëpunimi konkret ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së në fushat e zhvillimit të gjelbër me karbon të ulët dhe të energjisë së re po bëhet një pikë e re “e nxehtë”. Centrali i energjisë fotovoltaike i Kaposvárit në Hungari, centrali i energjisë së erës i Mozula-s në Malin e Zi, centrali me cikël të kombinuar i Pançevos në Serbi, projekti i ndërtimit të hidrocentralit të Ulogut në Bosnjë dhe Hercegovinë ... një sërë veprash kyçe të bashkëpunimit energjetik kanë filluar të ndërtohen ose janë vënë në punë, duke sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe mjedisore për zonën lokale.

Presidenti i Malit të Zi Milo Xhukanoviç:

Përveç ndërtimit të autostradave, Mali i Zi dhe Kina po punojnë edhe në projekte të tjera bashkëpunimi. Unë mendoj që, në kontekstin e furnizimit të paqëndrueshëm me energji në Evropë gjatë krizës së Ukrainës, është shumë e rëndësishme të eksplorohet dhe të përdoret energjia e rinovueshme. Kjo pritet që të jetë një mundësi e re për energjinë dhe zhvillimin ekonomik të Malit të Zi.

Foto: VCG

Foto: VCG

Përgjatë viteve, mekanizmi (i bashkëpunimit Kinë-EQL) na ka ndihmuar shumë për të rritur jo vetëm bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Malit të Zi dhe Kinës, por edhe ndërmjet vendeve evropiane. Sepse ne gjejmë shumë interesa të përbashkët, shumë projekte të përbashkëta që mund t'i zbatojmë.

Si një tjetër projekt i madh i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së, trenat Kinë-Europe ofrojnë mbështetje të fortë për thellimin më tej të bashkëpunimit dypalësh.

Xia Jun, zv.drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes të Administratës së Përgjithshme Doganore të Kinës:

Për sa i përket përpjesëtimit, vlera e importit dhe eksportit ndërmjet Kinës dhe 24 vendeve të lidhura me trenat Kinë-Europë përbën 17.4% të vlerës të përgjithshme të tregtisë së jashtme të Kinës. Nisja nga funksionimi e trenave Kinë-Europë ka luajtur një rol mbështetës në promovimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis Kinës dhe vendeve përkatëse, veçanërisht vendeve të lidhura me trenat Kinë-Europë, dhe në ruajtjen e qëndrueshmërisë së zinxhirëve të industrisë e të furnizimit.

Foto: VCG

Foto: VCG

Ish-drejtori i Departamentit për Çështjet Europiane e Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, dr. Michael Borchmann, u shpreh:

Në dhjetë vjetët që nga themelimi i tij, mekanizmi i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe shkëmbimeve njerëzore, nëpërmjet ndërtimit të mekanizmit dhe nxitjes së bashkëpunimit konkret. (Li Huailiang/Artan)