Nxënësit e shkollës “TES” shfaqin “Karnavalet e Korçës”
2023-05-05 09:48:41

Shkolla "Tomorrow's Education System" (TES) ku studiojnë nxënës nga të  treja ciklet të përfshira (fillore, 9-vjeçare, e mesme), ka sfidë kryesore  edukimin e të rinjve në shumë dimensione, në kuadër të qëllimit “Të edukojmë përmes artit”, duke afruar të rinjtë me teatrin, duke zhvilluar  mendimin kritik dhe të folurin në publik. Mësuesja e sociologjisë Orilda Kalami, ka krijuar gjithashtu dhe  grupin e teatrit, në mënyrë që nxënësit që kanë dëshirë dhe talent për të aktruar, ta praktikojnë. Regjisorja Suela Bako është bërë pjesë e projektit, duke punuar me nxënësit  e kësaj shkolle. Pasi u realizuan audicionet, ajo zgjodhi pjesën që do të vihet në skenë dhe menjëherë filluan me provat çdo ditë për një muaj e gjysmë. Si fillim regjisorja mendoi se do të ishte më e bukur që të sillnin në skenë një vepër shqiptare, kështu zgjodhi veprën "Karnavalet e Korçës", në mënyrë që nxënësit të sillnin mesazhet:

Roli i gruas në shoqëri.

Lufta ndaj fasadës dhe materiales.

Qëndrimi kritik ndaj njerëzve  që jetojnë për të tjerët.

Rëndësia e arsimimit dhe dijes.

Lufta ndaj injorancës

Gjetja e kuptimit të vërtetë të jetës.

Vlera e dashurisë.

Në intervistë për Radio Ejani kanë rrëfyer në lidhje me këtë shfaqje, regjisorja Suela Bako, mësuese Orilda Kalami , si edhe nxënësit që interpretuan në shfaqjen “Karnavalet e Korçës”.

Mësuesja e sociologjisë Orilda Kalami u shpreh:

“Duke qenë prej vitesh jam çdo ditë në kontakt me të rinj, me gjimnazistë, një mësues ka mundësinë, por edhe fatin të perceptojë edhe botën e tyre të brendshme. Është një mision, është sfidë t’i afrosh me të bukurën, me vlerat e vërteta. Është një mision, sepse për një mësues dëshira, puna, ëndrrat më të mëdha janë që të nxjerrë më të mirën nga këta të rinj që janë duke u rritur dhe formuar. Është një sfidë, sepse jetojmë në një realitet të vështirë, me një përmbysje vlerash, me problematika, ku orientimi drejt të mirës, na takon patjetër ne të rriturve, mësuesve dhe prindërve. “Edukimi përmes artit” është qëllimi i këtij projekti që krijuam, organizuam dhe punuam, që erdhi këtë herë nëpërmjet një shfaqje teatrale.  Qëllimi është që të afrojmë të rinjtë me teatrin, të afrojmë të rinjtë me librin dhe me çdo gjë të bukur. Që në momentin e parë që këtë projekt ja prezantova regjisores Suela Bako, ajo e mirëpriti me përgjegjshmëri, me një thellësi mendimi, me një shqetësim filozofik dhe filloi të përpunonte mendimet, të vendoste një pjesë apo një tjetër. Qëllimi ishte që ata ta njihnin, ta jetonin, ta zbulonin bukur këtë pjesë, prandaj u vendos një shfaqje shqiptare si “Karnavalet e Korçës”.

Për këtë mësuese ky është një mision i përmbushur, sepse të rinjtë kanë talente, potenciale të cilat duhen ngacmuar, duhen zhvilluar dhe kush më mirë se shkolla mund ta bëj këtë gjë.

Ndërsa regjizorja e shfaqjes Suela Bako thekson se kjo  është hera e dytë që brenda këtij viti  ka nxjerrë një premierë me një gjimnaz të kryeqytetit, ndërsa tani ishte diçka tjetër, pasi kemi të bëjmë me një pjesë shumë popullore si  “Karnavalet e Korçës”, vepër nga një autor shqiptar nga më të mirët siç është Çomora.

“I falenderoj për respektin karshi teatrit, me të cilin ndjeja si si çdo ditë, magjepseshin më shumë, çdo ditë ishte një surprizë e re. Çdo ditë ata kuptonin se nuk ishte shaka, por ishte një lojë serioze, skenike, një komedi për të cilën duhej të bënin më të mirën e tyre, të përjetonin dhe të mishëronin disa karaktere të vizatuara aq bukur nga autori Spiro Çomora. Falenderoj nga zemra Mine, Anais, Imad, Klark , Dea, Bekim, Sara, por falenderoj nga zemra dhe mësuese Orin, shkollën dhe të gjitha mësueset. Por jam e sigurt që ajo eksperiencë që nxënësit përfituan,është një kujtim kaq i bukur për ta, sa kam një përshtypje, gati gati në bindje, që ndonjëri prej tyre e kemi prekur tërësisht, për ta konsideruar veten dhe të ardhmen e tij, në lidhje me aktrimin dhe teatrin. Dhe ajo që është më e rëndësishme, dashuria për teatrin që mbillet në të tilla aktivitete dhe evente. Mbjellja e kësaj dashurie për brezin e ri, është arritja më e madhe e këtyre eventeve artistike.”, tha regjisorja

Nxënësit e shkollës "Tomorrow's Education System” (TES)  i transmetuan  mjaft mirë mesazhin nëpërmjet shfaqjes, mesazhin e dashurisë për jetën, për të bukurën, për vlerat e vërteta, për luftën që duhej bërë ndaj fasadës, materiales, ndaj mentalitetit të vjetër, ndaj asaj që nuk duhet jetuar për të tjerët. Për Radio Ejani nxënësit kanë shprehur emocionet e tyre pas shfaqjes.

Anais Osmënaj që interpretoi në rolin e Afrovitit: Unë interpretoj rolin e  Afrovitit, e cila është një 30 vjeçare që përdoret si kukull nga prindërit e saj. Ajo ka një anë fëminore që e bën Afrovitin një rol mjaft gazmor, rol të cilin e kam shijuar shumë. Mund të them se individë të tillë nuk mungojnë në jetën tonë të përditshme dhe e hasim shumë, prandaj kjo përshtatje më ka shijuar në maksimum. Përveç kënaqësisë që kemi marrë duke kaluar kohë me njëri tjetrin, një sadisfaksion më vehte ishte pëlqimi nga ana e publikut”.

Kurse nxënësja Mine Mena  ka interpretuar Olimbinë: Jam shumë e lumtur që isha pjesë e aktorëve të kësaj komedie, si një personazh tipik shqiptar, i një nëne e cila është rritur në një familje tregtarësh dhe me një mentalitet të prapambetur, ku opinionet e të tjerëve ndikojnë gjithmonë tek jeta e saj. Ky rol nuk ishte aspak i thjeshtë për mua, sepse më duhej të ndërthurja Minën dhe Olimbinë në një të vetme, e cila u arrit falë regjisores Suela Bako, të cilën e falenderoj shumë që më dha mundësinë që të isha pjesë e kësaj shfaqje dhe gjithashtu mësuese Orilda Kalami, e cila me një këmbëngulje të madhe arriti të organizojë një shfaqje kaq të bukur, e në kaq pak kohë. Kjo ishte një nga eksperiencat më të bukura të jetës time dhe padyshim që do të mbetet një kiujtim shumë i bukur për mua.

Në rolin e Ditkës ishte Sara Kaçi: Falenderoj shumë mësuese Orin dhe regjisore Suelën për përkushtimin, ishte një eksperiencë që nuk do e harroj kurrë. Për të thënë të vërtetën nuk kam pasur shumë emocione, sepse nga ana artistike unë kam qenë tepër e lidhur me anën time artistike, por i vetmi emocion që kisha ishte, se po shkelja në skenën e Teatrit të Metropolit. Më vjen mirë që të gjithë e pritëm mirë shfaqjen duke na lavdëruar dhe pyetur njëkohësisht se kur do të vihej shfaqja tjetër. Shpresoj që sa më shpejt ta vendosim sërish në skenë.

Nxënësit kanë punuar për personazhin e tyre duke e analizuar me regjisoren dhe mësuesen njëkohësisht.  Një mënyrë edukimi ka qenë edhe zbërthimi i veprës, duke eliminuar personazhet pozitivë dhe ato negativë, por duke i dhënë rëndësi thelbit të jetës, analizës, diskutimeve, provave, etj.

Një ndër rolet kryesore në komedi është Nikollaqi, i interpretuar nga Imad Hoxha : Mua personalisht më pëlqeu shumë si rol, pasi mendoja se ishte një gjë që nuk ma merrte  mendja se mund ta bëja, por me sa duket doli e suksesshme. Ishte një rol në vetvete sa aktual dhe i prekshëm shumë nga rinia. Gjithashtu dua të shtoj se për mua ishte hera e parë që dal në një skenë teatri. Për këtë falenderoj shumë shumë mësuese Orin dhe një falenderim shumë të madh për regjisoren Suelën, që na kanë ndihmuar në çdo etapë të këtij rrugëtimi.

Nxënësja Dea Limllari rrëfeu përvojën e saj:  Unë sapo hyra në skenë u përhumba në një magji që nuk mund të përshkruhet, por vetëm mund të përfitosh eksperiencën e teatrit, prandaj dhe dashuria ime për të u theksua shumë. Sa herë shihja një fytyrë të buzëqeshur, frymëzohesha edhe më tepër për ta realizuar në mënyrë më perfekte rolin tim në shfaqje. Falë kësaj experience, zbulova veten në dimensione të tjera që nuk i kisha zbuluar më parë. Zbulova emocione të reja që mesa duket vetëm teatri mund të mi zbulonte. Zbulova se puna në grup dhe një kimi unike, mund ta shfaqë si duhet një komedi.

Bekim Allaraj shpreh emocionet e tij: Dua t’ju them se emocionet ishin të papërshkrueshme, por ja dolëm në mënyrën më të mirë dhe dhamë maksimumin tonë. U bëjmë thirrje gjithë të rinjve, që mos i humbin këto mundësi se janë të arta. Me anë të këtyre aktiviteteve, ju mund të zbuloni një talent që ju nuk  e kishit kuptuar në veten tuaj. Mësuese Ori, jemi të gatshëm për aktivitete të tjera si kjo!

Nxënësit arritën që të vinin në një skenë të vërtetë, komedinë “Karnavalet e Korçës” në teatrin "Metropol", por dëshira e tyre mbetet që kjo eksperiencë kaq e bukur për ta, të ketë vazhdimësi.

Intervistoi: Sava Lena