Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë
2023-05-05 11:49:25

Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota në Asamblenë e Organizatës Ndërkombëtare të Hidrografisë.

Në ceremoninë e hapjes, ku ishte i pranishëm edhe princi i Monakos Alberti II, u bë edhe prezantimi i flamurit shqiptar nga ana e komandantit të Forcës Detare, kundëradmiral Adnand Agastra.

Shqipëria u anëtarësua në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë (International Hydrographic Organization – IHO) një vit më parë, pas shumë viteve pune të vazhdueshme.

Anëtarësimi me të drejta të plota është i rëndësishëm në njohjen ndërkombëtare të cilësisë së sigurisë së lundrimit në hapësirën detare të Shqipërisë, duke dhënë një kontribut edhe në rritjen e trafikut detar në ujërat shqiptare, shkruan “ATSH”.

Tashmë hartat detare të prodhuara nga Shërbimi Hidrografik shqiptar njihen zyrtarisht për cilësinë dhe standardet e tyre ashtu si edhe ato të vendeve të tjera anëtare të IHO-së.

Në takimin e Asamblesë së Organizatës Ndërkombëtare të Hidrografisë mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, si dhe konsulli i nderit në Monako, Giuseppe Durazzo. (Irma)