Zv. presidenti kinez nxit marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të shëndetshme me Britaninë
2023-05-05 18:15:00

              Foto:Xinhua

Zv. presidenti kinez Han Zheng(Foto arkivi:Xinhua)

  Zv. presidenti kinez Han Zheng bëri thirrje të enjten për përpjekje të përbashkëta për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme e të qëndrueshme Kinë-Britani, duke hedhur një bazë të shëndoshë dhe duke krijuar një atmosferë të favorshme për bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

    Z. Han i tha këto në një darkë mirëseardhjeje të organizuar nga qarqet e biznesit Kinë-Britani në Londër.

    Ai mbërriti të enjten në Londër për të marrë pjesë si përfaqësues i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Çarls III që do të zhvillohet të shtunën.

     "Politikat e brendshme dhe të jashtme të Kinës janë konsekuente e shumë të qëndrueshme," tha Han, duke vënë në dukje që, pavarësisht se si ndryshon gjendja botërore, Kina do të krijojë më shumë mundësi nëpërmjet zhvillimit të vet dhe do t'i sjellë botës më shumë siguri dhe energji pozitive.

    Kina, si një partnere kryesore tregtare e mbi 140 vendeve dhe rajoneve, bën 320 milionë dollarë amerikanë investime të drejtpërdrejta në ditë në mbarë botën, ndërkohë që mbi 3 000 ndërmarrje të huaja hapin biznes çdo muaj në Kinë.

    Kina është e përkushtuar ndaj globalizimit ekonomik e hapjes me standard të lartë dhe është e gatshme të punojë me të gjitha vendet e tjera për  bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë dhe për ta bërë globalizimin ekonomik më të hapur, gjithëpërfshirës, të balancuar e me përfitime të përbashkëta, tha zv. presidenti kinez.

    Lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kinës e Britanisë, ai kërkoi përpjekje të përbashkëta për të krijuar lidhje të shëndetshme e të qëndrueshme dypalëshe, për të hedhur një bazë të shëndoshë dhe për të krijuar një atmosferë të favorshme për bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë ndërmjet të dy vendeve.

    "Kina e sheh rolin dhe ndikimin ndërkombëtar të Britanisë nga një perspektivë pozitive dhe gjithmonë e trajton Britaninë si një partnere strategjike," tha Han, duke theksuar gatishmërinë për t'u ofruar trajtim kombëtar kompanive britanike që investojnë në Kinë dhe për të zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme hapjen e dyanshme institucionale me standard të lartë të tregut të kapitaleve.

    Ai shprehu shpresën se Britania do të krijojë një mjedis biznesi të hapur, të drejtë e jodiskriminues për kompanitë kineze.

    Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me Britaninë në çështjet ndërkombëtare, duke dhënë kontribut mbi çështjet globale si ruajtja e paqes dhe e sigurisë botërore, përballimi i ndryshimeve klimatike dhe mbrojtja e shumëllojshmërisë biologjike, shtoi z. Han.(Zhang Yan/Artan)