Teknologjia kineze e mbarështimit të orizit nxit zhvillimin bujqësor në Azi dhe Afrikë
2023-05-05 12:00:31

foto nga Xinhua

Wang Xuemin, një ekspert kinez i bujqësisë në një fermë në Abuxha, kryeqytetin e Nigerisë, më 25 prill 2022/ foto nga Xinhua

Në një laborator në Akademinë Kineze të Shkencave Bujqësore (CAAS) në Pekinin verior, studiuesit janë të zënë me etiketimin dhe modifikimin e gjeneve në oriz, një komponent kyç i procesit kompleks të mbarështimit të orizit super të gjelbër (GSR).

Siç sugjeron emri i tij, ky lloj orizi ka rendimente të larta dhe procesi i prodhimit të tij është miqësor me mjedisin.

"Ne aplikojmë metodën e shqyrtimit gjenetik për të vendosur cilësinë ose tiparet që na duhen në oriz",- tha Xu Jianlong, profesor në Laboratorin për Mbarështimin Molekular të Orizit nën Institutin e Shkencave të Kulturave.

Që nga viti 2008, nën mbështetjen e qeverisë kineze dhe fondacionit “Bill & Melinda Gates”, laboratori filloi të zhvillojë varietete GSR për të nxitur zhvillimin bujqësor në zonat me burime të varfra në Afrikë dhe Azi.

"Ne kemi mbarështuar varietete të ndryshme GSR që janë në gjendje të përshtaten me mjedise të ndryshme ekologjike në vende të ndryshme. Në Afrikë, për shembull, ne kultivojmë varietete që janë më elastike ndaj thatësirës dhe temperaturës së lartë, ndërsa në Azinë Juglindore, ku tajfunet janë të zakonshme, ne prodhojmë oriz që është elastik ndaj sëmundjeve të tilla si plaga bakteriale",-shpjegoi Xu.

Sipas ekspertit, kur tajfuni Haiyan goditi Filipinet në vitin 2013, të gjitha të korrat e varieteteve lokale të orizit në ishullin Leyte u zhdukën. "Megjithatë, varieteti GSR8 që provuam mbjelljen atje tregoi tolerancë më të mirë ndaj përmbytjeve, thatësirës dhe dëmtimit nga kripa, me një korrje prej 1.2 ton për hektar", - tha ai.

Qeveria e Filipineve vendosi më pas të promovojë përdorimin e farave GSR8, duke rezultuar në zgjerimin e shpejtë të varietetit GSR për të mbuluar 430,000 hektarë në vitin 2014. Që nga viti 2018, varietetet GSR janë promovuar në Filipine për një total prej 1.09 milionë hektarësh, që përbën 22.64 për qind të sipërfaqes së orizit në vend. Deri në vitin 2021, sipërfaqja kumulative e varieteteve GSR arriti në 10.8 milionë hektarë në Filipine.

foto nga

Xu Jianlong, profesor në Laboratorin për Mbarështimin Molekular të Orizit nën Institutin e Shkencave të Kulturave/ foto nga Xinhua

Histori të suksesshme u gjetën edhe në vende të tjera. Varieteti që u promovua në Pakistan ka një rendiment mesatar prej rreth 9.5 tonë për hektar, krahasuar me 7 tonë për varietetin vendas. Aktualisht, gjashtë varietete GSR, janë certifikuar nga autoritetet pakistaneze.

Për ekspertët e Akademisë Kineze të Shkencave Bujqësore, hapja e GSR në Afrikë ka qenë mjaft sfiduese, pasi infrastruktura bujqësore atje është relativisht e varfër.

Me mbështetjen teknike të Akademisë Kineze të Shkencave Bujqësore, “Green Agriculture West Africa Ltd.”, e lidhur me kompaninë kineze të ndërtimit “CGCOC Group”, ka zhvilluar një varietet të ri për të ndihmuar në rritjen e prodhimit të orizit. Vërtetuar në Nigeri në vitin 2017, ky varietet prodhoi rreth 30 për qind më shumë se varieteti lokal Faro 44.

Me popullarizimin e tij, rendimenti mesatar i orizit në të gjithë Nigerinë u rrit nga 1,98 tonë për hektar në 2019-n në 2,5 tonë për hektar në 2022-shin.

"Ne do të bëjmë më shumë përpjekje për të ndihmuar vendet e Afrikës Perëndimore të krijojnë sisteme të industrisë së farave të orizit dhe të lehtësojnë kërkesën e tyre për ushqim",- tha Xu.

Sipas Akademisë Kineze të Shkencave Bujqësore, gjatë dekadës së fundit, 78 varietete GSR të zhvilluara nga grupi i projektit GSR janë testuar, certifikuar dhe promovuar në 18 vende dhe rajone në Afrikë dhe Azi, me një sipërfaqe mbjellëse kumulative prej mbi 6 milionë hektarësh, duke përfituar mbi 1.6 milionë fermerë.

Përvoja e Kinës në kultivimin dhe prodhimin e orizit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurinë ushqimore të vendeve aziatike dhe afrikane përgjatë nismës “Një brez, një rrugë” (BRI), e cila filloi gati 10 vjet më parë, tha Xu.

foto nga CFP

Plantacioni i orizit "Wanbao" në Mozanbik të Afrikës, një objekt bujqësor me bashkëpunimin me kompaninë kineze/ foto nga CFP

Për sa u përket planeve të tyre të ardhshme, eksperti beson se është shumë e rëndësishme t'i "mësojnë se si të kultivojnë oriz", në vend që thjesht t'u jepet oriz.

Aktualisht, 58 studentë pasuniversitarë nga 15 vende po ndjekin diplomën master ose doktoraturë në institutet kërkimore kineze.

"Gjithashtu, ne kemi ofruar trajnime të avancuara në teknikat e mbarështimit të GSR për gati 943 shkencëtarë dhe teknikë nga 15 vende dhe do të ketë më shumë trajnime në ditët në vijim",- tha Xu.

Eksperti beson se përdorimi i teknologjisë kineze për të garantuar sigurinë ushqimore në vendet në zhvillim ka një rëndësi të madhe për  ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

"Qëllimi ynë përfundimtar është të ndihmojmë fermerët në ato vende të bëhen të vetëmjaftueshëm në prodhimin e orizit",- shtoi Xu.