Jona Aga, trendet e arredimit për verën e 2023
2023-05-04 11:00:58

Shtëpitë po bëhen më moderne, me ngjyra me stile unike, me përzgjedhje delikate. Arkitektët në Shqipëri janë të shumtë në numër dhe vitet e fundit është futur në praktikën e klientëve që ata vetë të angazhojnë një arkitekt, i cili kryen arredimin e shtëpisë. Jona Aga, ka një eksperiencë të gjatë në fushën e arkitekturës, duke bërë mjaft punime në shtëpi të vogla dhe të mëdha. Qëllimi i saj nuk është të ndjekë vetëm trendet e fundit, por t’i përshtatet shijeve që vetë klientët kanë dhe t'iu vijë atyre në ndihmë për të përzgjedhur stilin e duhur. Në një intervistë për Radio Ejani ajo flet për punën e saj dhe trendet e arredimit në sezonin veror të këtij viti.

CMG: Jona ju tashmë keni vite në treg, si e shihni trendin e kërkesës së klientëve? A duan ata një arkitekt për t'iu arreduar shtëpinë?

Jona Aga: Klienti vetë ka ide dhe inovacion në gjithçka që sjell. Kjo më ka ndodhur mua, por besoj edhe të tjerëve në këtë profesion, pasi është vënë re që së fundmi kanë tepër informim për këtë pjesë. Do të thoja po, është futur tashmë në kulturën e tyre që të kenë më shumë njohuri dhe më tepër nevojë për një arkitekt pasi kanë nisur që gjërat t'i bëjnë me zgjuarësi. Ndërsa edhe këshillat tona janë të mirëpritura.

CMG: A të duhet shumë kohë për t’i bindur ata që të bëjnë zgjedhjet e duhura në arredimin e shtëpisë ?

Jona Aga: Normalisht të komunikosh me një kilent ku ti ke rol për të bindur atë duhet shumë durim. Unë përpiqem të jap këshilla që shtëpia e dikujt mos të jetë vetëm e bukur, por të jetë funksionale.


CMG: Stili i viteve të fundit është minimalist?

Jona Aga: Minimalizmi ka të bëjë me vendosjen e sa më pak gjërave në hapësirë dhe jo vetëm gjërat, por edhe ngjyrat. Duhet të kesh stilin e tillë. Duke parë edhe si shkojnë çmimet  e apartamenteve kjo gjë ka sjellë nevojën për një arkitekt që të organizojë gjithë stilin e shtëpisë. Pra në një dhomë të vogël ne duhet të ndërtojmë terren dhe hapësirë. Ka shumë klientë që duan që blerjet t'i bëjnë vetë, por ka edhe të tjerë që janë plotësisht dakord me çdo gjë tjetër që unë ju kam sugjeruar. Nuk është e duhur që të blesh çdo gjë, pa pasur idenë se për çfarë të duhet. Unë përpiqem të jem funksionale në çdo gjë që blej, sepse klientit i duhet hapësirë në shtëpi për të jetuar në paqe .

CMG: Cilat janë ngjyrat më të përdorura në punimet tuaja, por edhe ngjyrat më trendi të këtij viti ?

Jona Aga: Ngjyra jeshile dhe ka një arsye shumë esenciale. Nëse ti sheh natyrën të jep reklaksim dhe energji, imagjino këtë në dhomën e gjumit. Gjumi duhet të jetë i qetë dhe duhen ngjyra, të cilat të japin qetësi. Edhe ngjyrat e tokës janë shumë të përdorura dhe të preferuara nga klientët sepse janë ngjyra që të japin dritë në jetë.

Përshëmbull përdorimi i xhamit në gardërobë jo vetëm që të jep dritë, por edhe shumë hapësirë në dhomë . E bardha, pana, kapuçino janë trend dhe thuajse të gjithë i kërkojnë. Nëse ti krijon një ide në familje sikur je natyrë ke fituar një betejë shumë të madhe për të qenë edhe më qetë në përditshmëri.

CMG: Si do të ishte një zyrë pune ideale në arredim?

Jona Aga: Kjo është në vartësi të dhomës, nëse kemi një dhomë të vogël duhet të kujdesemi që drita të jetë shumë prezente sepse eviton  idenë e një zyre shumë të vogël. Nëse njerëzit po mendojnë që të ndërtojnë një zyrë duhet të marrin parasysh disa pika të forta dhe disa pika të dobta. Nëse zyra është shumë luksoze njerëzit kanë shumë prirje të impostohen dhe të kenë frikë nga ajo që i pret, por nëse zyra është minimaliste ajo të krijon idenë e qetësisë dhe rehatisë. Do të isha edhe që zyra të kishte ngjyrat trendi dhe relaksuese, mos të jenë ngjyra të forta sepse më pas bëhen objekt stresi dhe mungesë efikasiteti në vendin e punës.

CMG: Po përsa i përket ndriçimi ? Si duhet të ndahet rëndësia e dritës në familje dhe më pas në zyra ?

Jona Aga: Dritat nuk janë të gjitha njësoj, pra do ketë raste kur në ambiente si restorante dritat duhet të jenë më të ulta dhe duhet të jenë të dedikuara, ka zyra që drita duhet të jetë e bardhë dhe e fortë për të krijuar idenë e dritës në natyrë.

Pra, drita është shumë specifike nuk është diçka që po e blej apo vendos sipas dëshirës, por secila prej tyre ka vendin e vet në ambientin e duhur .

Ndërsa shtëpia duhet të jetë një ambient i qetë, ledi perimetral, shinat spot që janë trend dhe gjithashtu ndriçimi i dedikuar i cili të vë në dukje funksiononin që po kryen në atë moment. Ndërsa ndriçimi në ambiente shumë të mëdha nuk duhet të jetë njësoj si në dhoma të vogla.

CMG: Cili është trendi i viteve të fundit në arkitekturën e shtëpisë ?

Jona Aga: Une kam punuar me dizenjimin e kabinave së fundmi dhe mendoj që kudo tashmë trendi është një shtëpi e vogël druri .

Vetëm duhet të tregohet kujdes pasi kërkon vëmendje krijimi i saj që tek forma e çatisë, e cila duhet të jetë shumë e pjerët nëse kabina është në veri dhe shumë e ulët nëse është në jug. Gjithashtu nëse i referohemi materialit duhet të bëjmë kujdes pasi mund të mbajnë lagështi dhe tashmë të gjithë e dinë që ekzistenca e tyre shkon deri në 10-15 vite pasi ezaurohet materiali i drurit.

Intervistoi: Megi Latifi