I dërguari kinez kërkon thellimin e besimit të ndërsjellë dhe krijimin e partneriteteve globale
2023-05-04 19:19:28

Ambasadori Zhang Jun në OKB(Foto:VCG)

Ambasadori Zhang Jun në OKB(Foto:VCG)

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara i bëri thirrje të mërkurën bashkësisë ndërkombëtare të thellojë besimin e ndërsjellë dhe të krijojë partneritete.

"Ne duhet ta mbështetim fuqimisht  besimin tonë në konceptin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, të praktikojmë multilateralizmin e vërtetë, të thellojmë besimin e ndërsjellë dhe të nxisim e të krijojmë partneritete globale," theksoi Zhang Jun në Debatin e Hapur të Këshillit të Sigurimit mbi Krijimin dhe Ruajtjen e Paqes: Besimi për Ruajtjen e Paqes në të Ardhmen.

Zhang theksoi se bota tani është "plot me krizë serioze besimi". Pas çështjeve të ndryshme komplekse qëndrojnë një varg deficitesh në përkeqësim lidhur me zhvillimin, paqen, sigurinë e qeverisjen, si edhe deficiti i gjatë në besim.

"Asgjë nuk e pengon më lehtë besimin politik ndërmjet vendeve sesa luhatjet dhe mosmbajtja e premtimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare, mosrespektimi i marrëveshjeve që nënshkruajnë dhe prapakthimi e mospërmbushja e angazhimeve politike që kanë marrë. Asgjë nuk e dëmton më lehtë besimin e ndërsjellë në fushën e sigurisë sesa formimi i blloqeve ushtarakë përjashtuese, nxitja e tensioneve rajonale dhe kërkimi i sigurisë absolute për veten në dëm të sigurisë së vendeve të tjera ... Asgjë nuk e shkakton më lehtë humbjen e besimit në sistemin ndërkombëtar sesa mospërfillja e autoritetit të Kartës së OKB-së dhe përdorimi i standardeve të dyfishta e zbatimi me përzgjedhje i ligjit ndërkombëtar," tha përfaqësuesi kinez.

 Sjellje dhe mendësi të tilla janë kundër përpjekjeve për të thelluar besimin e ndërsjellë dhe për të krijuar paqe të vazhdueshme, si edhe për zhvillimin dhe përparimin global, shtoi ai.

Vendet e mëdha, vuri në dukje Zhang, duhet të jenë udhëheqëse për sa i përket integritetit, bashkëpunimit e sundimit të ligjit, të ruajnë besimin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore e bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, të kërkojnë arritjen e konsultimeve të gjera dhe të bëhen shembull në ndërtimin e themeleve të forta të besimit për paqen afatgjatë në botë.(Artan)