Biokarburantet, Shqipëria nis procesin e zëvendësimit të naftës për motorët e makinave
2023-05-04 11:58:11

Shqipëria shpall ambicien për zëvendësimin e një pjese të nënprodukteve të naftës me lëndë djegëse jofosile për motorët me djegie të brendshme. Për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ka hartuar një projektligj, lidhur me prodhimin, transportin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve djegëse, të rinovueshme, për transport.

Projektligji, sipas relacionit që e shoqëron, ka qëllim promovimin e kontributit në përmbushjen e angazhimeve për emisionet e gazeve që vijnë nga konsumi i hidrokarbureve në këtë sektor, bën të ditur “RTSH”.

“Për Shqipërinë, transporti është kontribuuesi më i madh i CO2 dhe në përmasat e vendit, ndikon në ndryshimet klimaterike. Qëllimi i ligjit është të krijohen politika nxitëse për kultivimin të bimëve energjetike ne Shqipëri, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për prodhimin e biokarburanteve, biolëngjeve dhe biogazeve. Për të arritur objektivat është e nevojshme dhe vendosja e detyrimit ndaj operatoreve që të garantojnë furnizimin e tregut me sasi minimale vjetore me biokarburante”,- thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Nga ana tjetër, pr/ligji ka si qëllim edhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve për dobinë që sjell në mjedis dhe në shëndetin e tyre konsumi i biokarburanteve në sektorin e transportit duke respektuar cilësinë e benzinës dhe të gazoilit gjatë shtimit të biokarburanteve në procesin e përpunimit dhe të përzierjes.

Tregtimi i biokarburanteve për një periudhë prej 10 vjetësh nga data e hyrjes ne fuqi e ligjit do të jetë i përjashtuar nga regjimi fiskal në Shqipëri vetëm për sasinë e biokarburanteve të pastra (100% bio dhe jo për pjesën e nënprodukteve respektive të  prodhuar nga përpunimi i naftës bruto), të cilat plotësojnë kushtet e qëndrueshmërisë. (Elona)