Instituti i Gjeoshkencave monitoron dhe vlerëson situatën e klimës në vend
2023-05-02 10:41:54


Temperaturat në Shqipëri janë ende të paqëndrueshme. Herë me ditë shumë të nxehta dhe herë me ditë shumë të ftohta apo edhe me rreshje shiu. Në këto kushte, Instituti i gjeoshkencave (IGJEUM)  informon qytetarët për të pasur kujdes nga temperaturat në vend.

Instituti i Gjeoshkencave është një qendër kombëtare e kërkimit shkencor në Shqipëri, në fushën e gjeologjisë rajonale dhe të aplikuar, sizmologjisë, meteorologjisë, hidrologjisë, si dhe mjedisit.  Ai ka si mision të avancojë kërkimin shkencor, duke përdorur një teknologji dhe metodologji nga më modernet e kohës, në fushën e gjeoshkencave me qëllim përfitimin afatgjatë të ekonomisë dhe shoqërisë Shqiptare.

Gjithashtu, synon të kontribuojë në mësimdhënien për një arsim të thelluar universitar të studentëve, si dhe në kualifikimin e shkencëtarëve të rinj, duke kombinuar kërkimin shkencor të avancuar dhe inovativ me përvojat arsimore në fushën e gjeoshkencës. Instituti i Gjeoshkencave monitoron dhe vlerëson rreziqet natyrore si tërmetet, stuhitë, ortekët, përmbytjet, thatësirat, zjarret, tektonikën aktive, rrëshqitjet masive të shpateve kodrinore dhe malore, erozionin e tokës etj., me qellim uljen e riskut.

Prandaj, për dekadat e ardhshme kërkimi shkencor në fushën e gjeoshkencave, do të trajtohet i lidhur drejtpërdrejt me sfidat e shoqërisë ndaj rreziqeve natyrore, ndryshimeve klimatike, burimeve natyrore, ujin dhe përdorimin e tokës, etj.

Për të folur më tepër për temperaturat dhe se si ndikojnë ato në vendin tonë, për Radio Ejani kemi intervistuar Anira Gjonin, e cila është metorologe pranë Institutit të gjeoshkencave.

CMG: Sapo lamë pas prillin me rreshje të shumta shiu, komenti juaj?

Anira Gjoni: Sepse kështu është prilli, i pazakontë dhe gjithmonë jep paqëndrueshmëri atmosferike. Nga viti në vit jemi mësuar tashmë që në muajin prill kemi më tepër rreshje shiu dhe në zonat malore arrin deri në rreshje dëbore. Është ndryshimi i menjëhershëm i temperaturave të tokës dhe të ajrit që bën këtë luajtjen e temperaturave.

Janë masat e ftoha, masat e ngrohta dhe kondicionimi i tyre që sjell edhe këto luhatje atmosferike.

CMG: Çfarë ka ndodhur me sasinë e rreshjeve gjatë vitit 2022 ?

Anira Gjoni: Edhe në këtë pikë ka një dallim të madh të sasisë së reshjeve të vjetshme me këtë vit.Viti që lamë pas pati një sasi të ulët të rreshjeve prezente në vendin tonë. Ne i referohemi një norme kur masim rreshjet, të paktën për 30- vjeçarin e fundit sasinë rrjeshjeve ka ndryshuar. Janari, shkuri, marsi dhe prilli i vitit  të kaluar kishte sasi të pakta rrjeshjesh, pra ishim me defiçencë.

Nëse i hedhim një vështrim 5 viteve të fundit ka pasur sasi rreshjesh të pakta në krahasim me vitet e tjera.

Madje, edhe në muajin nëntor që pretendohet të jetë muaji që ka sasinë më të lartë të rrjeshjeve në këtë 3 vjeçar të fundit, ka pasur mangësi.

Gjthashtu, vëmë re që vitin e kaluar temperaturat e ajrit janë rritur me 1.8 gradë celsius, referuar normës 30- vjeçare të cilën ne e përdorim si normë krahasimi.

CMG: Si mund të ndahet Shqipëria sa i përket zonave klimatike?

Anira Gjoni: Nëse i referohemi ndarjeve, Shqipëria është e ndarë në katër zona kryesore klimatike dhe 13 nënzona klimatike. Secila prej zonave ka karakteristikat e saj.

CMG: Kemi hyrë tashmë në një fazë tjetër të klimës?

Anira Gjoni: Po tashmë klima ka një natyrë subtropikale, pasi kuptohet nga dimri ai është më i butë dhe zgjat më pak ndërsa sezoni i verës, është më i thatë dhe zgjat më shumë në kohë. Nëse i referohemi parashikimeve që bën qendra jonë, sa i përket rreziqeve fokusin kryesor e kemi tek përmbytjet dhe tek zjarret në pyje. Nëse para pesë vitesh zjarret në pyje nisnin dhe zgjasnin vetëm 3 muaj,  tani janë  shtuar muajt zgjat më tepër gjendja e emergjencës.

CMG: A jemi në kushtet kur rrezikojmë edhe tek mungesa e energjisë si rezultat i mangësisë së rreshjeve?

Anira Gjoni: Negative është kjo gjë edhe për mangësinë që krijohet në energji sepse ashtu sikur kemi mangësi në shi kemi edhe në rreshje dëbore. 10 vite më parë kishim gjatë muajve të dimrit më shumë rreshje shiu dhe bore, të cilat ktheheshin në prurje edhe për lumetjtë edhe për liqenet.

CMG:Cilët janë faktorët kyç që klima ka ndryshuar vitet e fundit?

Anira Gjoni: Ky është një fenomen global nuk po i ndodh vetëm Shqipërisë. E gjithë bota po merr masa ndaj ndryshimeve klimatike pasi është shumë e rëndësishme që të minimizojmë pasojat klimatike pasi kthehen ne pasoja në njerëz dhe në pasoja ekonomike për një vend. Arsyeja kryesore e kësaj gjendje është absolutisht faktori njeri, i cili padashje po e shkaterron klimën.

CMG: Si do të jenë temperaturat për ditët e tjera të javës?

Anira Gjoni: Temperaturat tani vijnë duke u rritur, në zonat bregdetare presim që temperaturat të rriten. Kjo pritet që të jenë gjithë javës. Fillimi i majit pritet të ketë pak vranësira dhe më pas do të kalojmë tek ditët me diell.
CMG: Cilat janë qytet me temperatura më të ulta dhe qyteti me temperature më të larta?

Anira Gjoni: Janë kryesisht zonat veriore por edhe Erseka është një zonë shumë e ftohtë. Ndërsa temperatura shumë të larta në bazë edhe të asaj që ne studiojmë është Kuçova.

Intervistoi: Megi Latifi