Ndryshime në popullsinë botërore, statistika dhe fakte
2023-04-28 12:11:23

Sipas “Raportit të Gjendjes së Popullsisë Botërore” botuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë (UNFPA), nga  mesi i këtij viti India do të jetë vendi me popullsinë më të madhe në botë, duke tejkaluar Kinën. Tejkalimi i popullsisë së Kinës nga India a do të ndryshojë forcën ndikuese të ekonomisë kineze në botë dhe potencialin e rritjes së saj?

Prof. Enver Bytyçi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës analizon këtë dukuri demografike dhe faktorët që ndikojnë në këtë proces

India vendi me popullsinë më të madhe në botë (Foto AffairsCloud.com)

India vendi me popullsinë më të madhe në botë (Foto AffairsCloud.com)

Ndryshime në popullsinë botërore, statistika dhe fakte

Fondi i Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë (UNFPA), bazuar në “Raportin e Gjendjes së Popullsisë Botërore” ka publikuar parashikimet statistikore demografike, sipas të cilave India do të ketë një popullsi prej 1.4286 miliardë banorësh nga mesi i këtij viti, duke u bërë kështu vendi më i populluar në botë. Kina ka mbajtur rekordin e vendit me popullsinë më të madhe në botë që nga viti 1950. Prof. Enver Bytyçi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës analizon këtë dukuri demografike dhe faktorët që ndikojnë në këtë process

CMG: Fondi i Popullsisë i OKB-së publikoi të mërkurën e kaluar "Raportin e gjendjes së popullsisë botërore më 2023", ku parashikohet që në mes të këtij viti, India do ta kalojë Kinën dhe do të bëhet vendi me popullsinë më të madhe në botë. Sipas vlerësimit tuaj kjo është një rrjedhojë e ligjeve të zhvillimit të popullsisë ?

Prof. Enver Bytyçi: Kina dhe India kanë patur dhe kanë ndjekur vazhdimisht politika të ndryshme demografike.Politikat kineze kanë qenë politika të kontrollit të shtimit të popullsisë, të lindjeve në radhë të parë, ndërsa politika indiane nuk ka kufizuar asnjëherë shtimin e popullsisë.  Duke qenë se kjo lloj politike ka lejuar që në Indi popullsia të rritet në mënyrë të pakontrolluar dhe të lirë, pritej që një ditë popullsia indiane do të ishte në vend të parë në krahasim me popullsinë e Kinës.

Prof. Enver Bytyçi në intervistë për CMG

Nuk është diçka e befasishme, por është diçka që pritej dhe kanë ndodhur për shkaqe të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e politikave në të dy vendet përkatëse.

Statistika që shpalli OKB javën e kaluar dëshmon se tashmë prej vitit të kaluar, India është vendi i parë në botë për sa i përket popullsisë.  Nuk duhet të harrojmë se popullsia nuk është treguesi kryesor i fuqisë ekonomike, politike, ushtarake dhe të ndikimit global në arenën ndërkombëtare.

Sigurisht India është një vend shumë i madh sa i përket popullsisë së saj, por diferenca e popullsisë kraahasuar me Kinën nuk ndikon në krijimin e një lloj dispropocionaliteti dhe nuk e çekuilibron as rendin demografik në kontinentin aziatik. Gjithësesi statistika është e tillë. Numri i popullsisë në Indi, Kinë apo kudo në botë është thjesht një statistikë.

CMG: Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, pakësimi i popullsisë, si pasojë e plakjes së saj dhe uljes së dëshirës për të lindur fëmijë është një problem i gjerë global. Kjo ka ndodhur me popullsinë e Kinës. Sipas jush cilët janë faktorët që ndikojnë në këtë proces?

CFP

Prof. Enver Bytyçi: Faktori kryesor është urbanizimi dhe civilizimi i shoqërisë. Një shoqëri e urbanizuar dhe e industrializuar, e zhvilluar dhe me teknologji të lartë dhe ku është zhvilluar arsimi dhe kultura është e prirur të ketë një kontroll të shtimit të popullsisë. Bëhet fjalë për pasjen e parametrave më të larta në planifikimin  familjar dhe të insistohet më shumë në mirëqenien e familjes se sa në numrin e anëtarëve të familjes.  Kjo ka ndodhur në Kinë. Përveç kësaj mendoj që në Kinë në rastin e zhvillimit demografik ka ndodhur  dhe një fenomen tjetër.

Në vitet 80. shtimi i popullsisë në vend u kufizua vetëm me një fëmijë për çift dhe kjo ishte një traditë disavjeçare deri në 2015, kur u lejua që numri maksimal i fëmijëve në një familje të ishte 3.  Por përveç viteve të para të zbatimit të kësaj politike, kjo nuk ndikoi më në shtimin e lindjeve dhe për pasojë në shtimin e popullsisë. Nuk ndikoi sepse familjet kineze e krijuan traditën e të pasurit të një fëmije dhe u shndërrua në një lloj koncepti ideja që duhet të kemi një ose dy fëmijë maksimumi me qëllim që të kihet një nivel jetese dhe mirëqenie të caktuar.

Duhet të kemi parasysh se arsimimi në Kinë është shumë më i lartë se në Indi dhe për pasojë njerëzit e arsimuar janë të prirur të planifikojnë numrin e fëmijëve që do të kenë. Ndërsa India është një vend i prapambetur në krahasim me Kinën, ndërsa në krahasim me botën perëndimore është shumë i prapambetur. Duke qenë një vend i prapambetur  që deri vitet e fundit ka jetuar në skamje dhe nën kërcënimin e urisë, ndaj nuk mund të pritet zvogëlimi i lindjeve, por detyrimisht pritej që ky ritëm i shtimit të numrit të popullsisë të ruhej dhe për pasojë si rezultat i ritmeve të kapërcehej numri i banorëve që ka Kina.

Të qenit vendi më i madh me numër popullsie nuk do të thotë asgjë në raport me fuqinë ekonomike, politike, ushtarake dhe të ndikimit në  botë.

CMG: Raportimi i këtij lajmi në mediat ndërkombëtare  lidhur me Indinë si vendi me numrin më të madh të popullsisë në botë, së shpejti mund të kalojë dhe Kinën sa i përket zhvillimit ekonomik. Rritja e popullsisë mund të bëhet epërsi për zhvillim, por edhe një barrë e rëndë. Këtë e ka theksuar në vitin 2019 dhe kryeministri indian Narendra Modi. Cili është vlerësimi juaj për këtë?

Prof. Enver Bytyçi: Impakti për Indinë do të jetë jo pozitiv, ndonëse ka elemente pozitive shtimi me ritme kaq të shpejta i popullsisë. Efekti pozitiv është ripërtëritja e krahut të punës dhe elemente që janë të domosdoshme për një shoqëri dhe për zhvillimin e saj, por njëkohësisht do të shtohet nevoja për më shumë të ardhura, punësim, për rritjen e produktit shoqëror të vendit. Nëse krahasojmë Kinën dhe Indinë në raport me produktin e përgjithshëm shoqëror apo me të ardhurat dhe shpenzimet, ndonëse India zë vendin e tretë në botë sa i përket GDP-së ky  është së paku 10 herë më i vogël se sa GDP e Kinës.

Në këtë aspekt Kina ka shance të rritë shumë nivelin e jetesës, të kapërcejë përfundimisht deri në vitin 2030 sipas programit të presidentit Xi Jinping problemet e varfërisë dhe kjo do të bëjë që edhe koeficienti i varfërisë në planet të zvogëlohet shumë, çka do të jetë kontribut për OKB-në dhe zhvillimin ekonomik dhe të mirëqenies.

Ndërkohë në Indi nuk pritet në një afat kohor të shpejtë që të ketë një përmirësim të dukshëm të rritjes së të ardhurave për frymë. Rritja e të ardhurave është në disproporcion me rritjen e popullsisë. Derisa India ka një GDP 5 herë më të ulët se sa Kina, kjo do të thotë që qytetari kinez të ketë një mirëqenie dhe të ardhura 5 herë më të mëdha se sa qytetari indian.

 Kjo e bën problematike rritjen e popullsisë në Indi. 

CMG: Kina po futet në fazën e zhvillimit me cilësi të lartë dhe inovacioni është bërë faktori kyç i zhvillimit të ardhshëm.  Në gjykimin e perspektivës së zhvillimit të Kinës, a është me rëndësi primare numri i popullsisë, apo rritja e cilësisë së jetesës ?

Prof. Enver Bytyçi: Pa asnjë diskutim, cilësia e jetesës, përmirësimi i jetesës, rritja e të ardhurave, shpërndarja proporcionale sa është e mundur në një shoqëri e të ardhurave dhe produktit të përgjithshëm shoqëror, të cilët janë elementet themelorë të qëndrueshmërisë dhe të sigurisë në një vend. Kina në aspektin teknologjik dhe të inovacionit është një nga vendet më të përparuara në botë, të cilën e kam prekur personalisht para 3 vitesh kur isha i ftuar në Pekin dhe më ka ndodhur të shkoj në një qendër tregtare dhe të mos mundem të blej diçka sepse nuk pranoheshin paratë Cash. Gjithçka kryhej nëpërmjet një aplikacioni, me të cilin bliheshin biletat e trenave apo paguhej gjithçka, deri dhe një kafe si dhe zhvillohej e gjithë jeta financiare dhe ekonomike e qytetarëve në Pekin, por dhe në qytete të tjera.

Në këtë aspekt kjo lehtëson jetën e qytetarëve, por aplikacioni është dhe kontroll ndaj parave të pista, ndaj krimit, korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Në zonat rurale sigurisht që jeta është ndryshe, sepse vendi nuk mund të jetë i zhvilluar njësoj në të gjitha rajonet dhe si çdo vend ka pabarazitë e veta, aq më tepër si një vend i madh dhe me një popullsi kaq të madhe. Duhet të theksoj se sipërfaqja e Kinës është 2 ose 3 herë më e madhe se sa ajo e Indisë, ndërsa dendësia e popullsisë për 1 km katror në Kinë është rreth 100 banorë për km katrorë, kurse në Indi është mbi 300 banorë për km katrorë.  Kjo do të thotë 3 herë më pak resurse, materiale dhe financiare për jetesën dhe mirëqenien dhe zhvillimin e vendit, ndaj dhe rritja e popullsisë në mënyrë të pakontrolluar ka dobësitë e veta. Kina tashmë ka ndërmarrë një revolucioni për të zhvilluar në mënyrë harmonike të gjitha rajonet e vendit dhe nëse do ta realizojë këtë politikë do të ketë një sukses të jashtëzakonshëm.

Intervistoi Eda Merepeza