Kinë-Azi Qendrore, konsensus për thellimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit
2023-04-27 14:23:26

Kina dhe pesë vende të Azisë Qendrore kanë arritur konsensus të thellojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin konkret ndërmjet tyre gjatë takimeve të veçanta që ministri i Jashtëm kinez Qin Gang pati të mërkurën me homologët e vet prej këtyre vendeve në qytetin kinez Xian, ku ata gjendeshin për të marrë pjesë në Mbledhjen e 4-t të Ministrave të Jashtëm Kinë-Azi Qendrore.

Foto nga MPJ

Në takimin me homologun e vet kazakistanas, Murat Nurtleu, Qin tha se të dy vendet duhet të respektojnë konsensusin e arritur nga dy krerët e shtetit për ndërtimin e një bashkësie Kinë-Kazakstan me një të ardhme të përbashkët me miqësi të përhershme e një shkallë të lartë besimi të ndërsjellë, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit në të mirë e në keq, për të nxitur partneritetin e përhershëm strategjik Kinë-Kazakstan të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.

Foto nga MPJ

Gjatë takimit me homologun e Kirgizistanit Kulubaev Zheenbek Moldokanovich, ai vuri në dukje se, në kushtet kur Kina dhe Kirgizistani kanë formuar një partneritet strategjik të nivelit të lartë, të dy palët duhet të shfrytëzojnë plotësisht rolin e komitetit të bashkëpunimit ndërqeveritar të të dy vendeve për të forcuar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë.

Foto nga MPJ

Qin i tha ministrit të Jashtëm taxhikistanas Sirojiddin Muhriddin se Kina dhe Taxhikistani janë miq "të hekurt". Ai u kërkoi të dy vendeve të konsolidojnë besimin e ndërsjellë politik dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar një komunitet zhvillimi e sigurie të përbashkët bazuar në konsensusin e arritur nga krerët e shtetit të të dy vendeve.

Foto nga MPJ

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet Kinë-Uzbekistan kanë arritur një nivel të lartë historik, kryediplomati kinez i tha homologut të vet uzbekistanas se të dy palët duhet të zbatojnë konsensusin strategjik të dy krerëve të shtetit dhe të çojnë përpara ndërtimin e një bashkësie Kinë-Uzbekistan me një të ardhme të përbashkët, për të arritur rezultate më frytdhënëse në bashkëpunimin e gjithanshëm me përfitime të ndërsjella ndërmjet vendeve.

Foto nga MPJ

Kur u takua me homologun e tij turkmenistanas Vepa Hajiyev, Qin theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë ngritur në nivelin e partneritetit të përgjithshëm strategjik nga të dy krerët e shtetit, duke hapur një kapitull të ri në lidhjet dypalëshe. Të dy vendet duhet të nxisin ngjitjen e marrëdhënieve në një nivel të ri nën udhëheqjen strategjike të dy krerëve të shtetit.

Qin theksoi se Kina, si gjithmonë, do të mbështesë fuqimisht vendet e Azisë Qendrore për të mbrojtur sovranitetin kombëtar, pavarësinë, sigurinë e integritetin territorial dhe rrugët e zhvillimit të zgjedhura në mënyrë të pavarur prej këtyre vendeve sipas kushteve kombëtare të tyre, duke kundërshtuar  vendosmërisht ndërhyrjen nga cilado forcë e jashtme në punët e brendshme të vendeve të Azisë Qendrore.

Ai vuri në dukje se Kina do të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me vendet e Azisë Qendrore në korniza të tilla si Kombet e Bashkuara dhe Organizata e Bashkëpunimit e Shangait dhe do të punojë me to për të mbrojtur së bashku normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në qendër dhe drejtësinë e barazinë ndërkombëtare.