Platformat e udhëtimit premtojnë të ndëshkojnë rritjen e çmimeve
2023-04-27 09:52:09

Foto nga VCG

Platformat e udhëtimit njoftuan se do të shtrëngojnë kontrollin dhe do të ndërmarrin veprime kundër operatorëve të hoteleve ose shtëpive që rrisin çmimet ose mashtrojnë klientët gjatë festës së Ditës së Majit, që zgjat nga 29 prilli deri më 3 maj.

Të joshur nga potenciali i fitimit nga rritja e kërkesës, disa operatorë hotelesh kanë inkurajuar klientët të anulojnë rezervimet e tyre për pushime në mënyrë që të rrisin tarifat dhe të rishesin dhomat. Disa përdorues në platformën “Weibo” u ankuan se operatorët u kishin telefonuar duke u kërkuar atyre të anulonin rezervimet duke përdorur justifikime të tilla si dëmtime në godinë, bën të ditur “China Daily”.

Yao Juncang, bashkëthemelues i zyrës ligjore të “Beijing Weiheng”, tha se është shkelje e kontratës për operatorët e shtëpive ose hoteleve të rrisin në mënyrë të njëanshme çmimet e dhomave ose të bindin klientët të anulojnë rezervimet dhe ata mund të urdhërohen të paguajnë kompensim deri në trefishin e çmimit të kontratës.

“Platformat e udhëtimit kanë një mbikëqyrje të dobët mbi këta operatorë. Klientët mund të padisin operatorët e hotelit ose të shtëpive, si dhe platformën, ose të ankohen te shoqatat e konsumatorëve dhe departamentet administrative”,- tha ai.

Këshilli i Klientëve Jiangsu kujtoi se ndërsa është e kuptueshme që hotelet të rrisin çmimet në një gamë të arsyeshme për shkak të rritjes së kërkesës gjatë pushimeve, ata duhet të shënojnë çmimin qartë pa shitur dhoma me çmime të tepruara. (Elona)