I dërguari kinez u bën thirrje palëve ndërluftuese në Sudan t'u japin fund armiqësive
2023-04-26 21:27:18

Foto nga VCG

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB u bëri thirrje të martën palëve ndërluftuese në Sudan që t'u japin fund menjëherë armiqësive.

Shpërthimi i fundit i konfliktit të armatosur në këtë vend të Afrikës ka çuar në një numër të madh viktimash civile dhe në shkatërrim të infrastrukturës. Kina, një mike e mirë dhe partnere e Sudanit, sheh me dhimbje rikthimin e trazirave në vend, tha Zhang Jun në një konferencë të Këshillit të Sigurimit mbi Sudanin.

Kina u bën thirrje të dyja palëve në konflikt që të vënë në plan të parë interesat e vendit dhe të popullit, t'u japin fund armiqësive menjëherë dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, theksoi ai.

Kina shpreson se armëpushimi humanitar do të mbahet, civilët do të mbrohen efektivisht, do të garantohet siguria e institucioneve, personelit e misioneve të huaja diplomatike në vend dhe do të sigurohet mbështetja logjistike për ndihmën humanitare dhe evakuimin e zhvendosjen e personelit, shtoi Zhang.

"Sudani është një vend i rëndësishëm në Afrikë. Nëse konflikti i tanishëm përshkallëzohet, pa dyshim që do të ketë rrezik më të madh. Kjo nuk është në interesin e Sudanit dhe do të dëmtojë paqen e sigurinë rajonale," paralajmëroi ai.

Tani përparësi është lehtësimi i ndërprerjes së menjëhershme të armiqësive, nxitja e të dyja palëve në konflikt që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e dallimet nëpërmjet dialogut dhe kthimi i procesit politik dhe zhvillimit ekonomik e social, si edhe i rendit shoqëror në rrugën e duhur, tha ai. .

Shkaku i trazirave aktuale në Sudan meriton reflektim serioz. Komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë sovranitetin e Sudanit dhe të mbështesë Sudanin në eksplorimin e marrëveshjeve institucionale në përputhje me kushtet e tij kombëtare. Imponimi i një zgjidhjeje nga jashtë ose vendosja arbitrare e një plani kohor mund të jetë kundërproduktiv, vuri në dukej përfaqësuesi kinez. (Çang Çuo)